Një sherr i dhunshëm mes disa personave ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një servis makinash në lagjen nr. 10 të Korçës. Mësohet se gjatë konfliktit, njëri prej tyre ka mbetur i plagosur me thikë.
Sipas informacioneve paraprake, raportohet se në sherr janë përfshirë katër persona, ndërsa i plagosuri Renaldo Xhixho është goditur me gërshërë dhe është transportuar me ambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.
Mësohet se Renaldo Xhixho është pronar i një servisi për shërbim tapicerie. Paraprakisht dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të pakënaqësisë së disa klientëve ndaj punës së kryer në servis.
Burime bëjnë me dije se edhe persona të tjerë mund të kenë pësuar lëndime, por deri tani nuk ka detaje të plota mbi gjendjen e tyre.
Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të konfliktit, si dhe për identifikimin e personave të përfshirë.
Lini një Përgjigje