Rëndohet bilanci i ngjarjes së rëndë në Burgun e Peqinit, pasi një prej të plagosurve ka ndërruar jetë.
Sokol Mjaçaj ka qëlluar me pistoletë ndaj dy të dënuarve të tjerë Ilir Xhakja dhe Arben Lleshi. Mësohet se të dy mbetën të plagosur rëndë, por më pas Lleshi ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra. Dyshohet se arma është futur me dron dhe ka dyshime se Mjacaj është porositur nga jashtë për të kryer ekzekutimin.
Arben Lleshi ka një të shkuar të gjatë kriminale. Ai u ekstradua në vitin 2016 nga Britani, ku ishte dënuar me 32 vite burg për vrasjen e një bashkatdhetari, ngjarje e ndodhur disa vite më parë.
Ai është autori i vrasjes së Agim Hoxhës, në 10 prill 2012. Mediat britanike shkruanin atëherë se Hoxha u vra në një apartament në qytetin anglez të Southempton, dhe më pas, trupi i tij u dogj në një makinë tip “Mercedes Benz”.
Për këtë ngjarje është dënuar me burg edhe vëllai i Lleshit, 39-vjeçari Afrim Lleshi, i cili ka pranuar para gjykatës se ka bashkëpunuar në shfarosjen e trupit të viktimës.
Shkaku i vërtet i vrasjes nuk është asnjëherë i ditur nga vëllezërit. Në procesin gjyqësor të zhvilluar tre vite më parë, u dëgjua se si autori i vrasjes, i cili mohoi akuzën, kishte shkuar ditën e krimit për të blere një levë dhe tela, si dhe materiale të tjera që ai i ka përdorur për vrasjen dhe djegien e trupit të viktimës në një makinë Mercedez. Pas vendimit, familja e Hoxhës, tha në një deklaratë se, “ajo që kërkonim ishte drejtësi për Agimin dhe drejtësia sot u dha. Tani shpirti i Agimit mund të prehet në paqe”. Sipas raportimeve të mediave britanike, dy vëllezërit Leshi merreshin me droge, veprimtari të cilën e kishin filluar që kur ishin adoleshentë.
Në vitin 2013 u vra Xhavit Lleshi, babai i të riut që iu gjet trupi. Xhavit Lleshit iu bë pritë në vendin e quajtur ‘Pujkë’. Më 15 maj të vitit 2016 u vra Hajredin Lleshi, vëllai i Xhavitit, në fshatin e lindjes në Burrel. Goditjet nga familja Hoxha vijuan dhe një vit më vonë. Në vitin 2017 u rrëmbye Artan Lleshi, djali i Hajredinit, të cilin e morën me një makinë në Burrel dhe e sollën në Kamëz. Në Kamëz ai u pa për herë të fundit nga kamerat e sigurisë së një lokali dhe që nga ajo nuk dihet se çfraë ka ndodhur me të.
Deri në vitin 2017, drejtësia e kishte bërë punën e saj, por edhe familja Hoxha gjithashtu. Djemtë e familjes Lleshi ishin ‘shuar’, por Klevisi po rritej. Mbi shpatullat e djalit që ishte ende një fëmijë rëndonte barra për të vënë drejtësi, për të marrë hak për babain e xhaxhain e vrarë dhe kushëririn e zhdukur. Por Burreli është i vogël, zërat përhapen shpejt dhe planet e Klevisit kishin mbërritur në veshin e fisit Hoxha gjithashtu. Kështu, kur Klevisi s’kishte mbushur ende 22 vjeç dhe sapo kishte nisur të bënte përplasjet e para për të fituar terren, u zhduk. Sot, dy vite më vonë u gjet i vrarë e i groposur…
Autorët? Familja shënjestroi fisin Hoxha, madje nëna e tij që në momentin që u zhduk tha se shoqëria ia kishte ‘tradhëtuar’ të birin e ia kishte nxjerrë në ‘prite’ te armiku. Deri më tani, drejtësia nuk e ka thënë fjalën e saj për tre të vrarë tashmë dhe një të zhdukur.
Lini një Përgjigje