Një situatë alarmante ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Hardhishtë të Shijakut, ku mbeturinat e grumbulluara në një zonë të hapur janë djegur në mënyrë të qëllimshme gjatë natës.
Sipas një denoncimi për mediat, banorët e zonës shprehen se kjo praktikë e rrezikshme është kthyer në rutinë, duke krijuar një ndotje të madhe të ajrit dhe duke vendosur në rrezik serioz jetën dhe shëndetin e tyre.
Banorët raportojnë se zjarri është aktivizuar sërish mbrëmjen e djeshme në vendin ku zakonisht hidhen mbeturinat. Ndërkohë, një makinë policie ka mbërritur në vendngjarje pas njoftimit urgjent të banorëve, të cilët po përballen me tym të dendur dhe rrezik real asfiksimi.
“Është katastrofë. Na mbytën, me atë mjet policie s’e shuajnë dot zjarrin. Po rrezikohet i gjithë fshati”, thotë një nga banorët që ka dërguar videon e zjarrit.
Banorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin masa urgjente për të ndaluar djegien e mbetjeve dhe për të garantuar sigurinë e komunitetit. Ata kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të zjarrfikësve dhe inspektoriateve mjedisore për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Gjithashtu bëhet e ditur se mbeturinat që grumbullohen në këtë fshat, nuk dërgohen në landifillin e Sharrës por digjen në ambiente të hapura ku ka edhe banorë. Kjo është hera e disatë që ndodh kjo situatë e rëndë në këtë bashki.
Djegia e mbeturinave në këtë mënyrë të paligjshme, ka ardhur pas denoncimit të emisionit Piranjat, ku janë denoncuar me fakte dhe video, mungesa e një infrastrukture në lidhje me asgjesimin e mbeturinave në këtë bashki.
Lini një Përgjigje