TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Janar 2026, 16:34

Përplasje mes të dënuarve në burgun e Koridhalos, vritet me thikë Jani Aliaj; i dënuar për ekzekutimin e Elton Çiços

Shkruar nga Pamfleti
Përplasje mes të dënuarve në burgun e Koridhalos, vritet me
Jani Aliaj, në sfond burgu i Koridhalos

Jani Aliaj është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiço...

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur brenda burgut të sigurisë së lartë në Koridhallos, në Greqi, ku një i burgosur me origjinë shqiptare është vrarë me thikë nga një tjetër i dënuar. Nga raportimet e para dyshohet se viktima është Jani Aliaj, personazh i njohur për drejtësinë shqiptare. 

Sipas raportimeve nga mediat greke, incidenti ka ndodhur në krahun e tretë të burgut, në rrethana që mbeten ende të paqarta. Viktima, ka ndërruar jetë pas plagëve të marra nga një objekt i mprehtë i improvizuar, i përdorur gjatë sulmit nga një tjetër i burgosur me kombësi greke. Autori dyshohet se e goditi viktimën dy herë në qafë.

Burime të burgut bëjnë me dije se viktima dhe autori ishin të dënuar për krime të rënda, konkretisht për vrasje, duke e bërë këtë një përplasje të ashpër mes kriminelëve të rrezikshëm. Deri tani nuk dihet nëse ngjarja ka qenë rezultat i një konflikti të hershëm, hakmarrjeje apo vrasje me pagesë.

Sipas informacioneve të mediave greke, autori i krimit ishte dërguar në burg për vrasjen e një shqiptari në rrugë në Agios Panteleimonas verën e kaluar. Sipas verifikimeve dyshohet se se është personi që vrau 47-vjeçarin shqiptar Artur Bashimi. 27-vjeçari, përdorues droge, ka deklaruar në atë kohë pas arrestimit se mori përsipër të ekzekutonte shqiptarin për një shumë prej 15.000 euro. Si duket sot ai i mori jetën një tjetër shqiptari.

Po sipas mediave greke, autori besohet të jetë kreu i dyshuar i të ashtuquajturës mafia e burgut të Koridhalos. Më tej thuhet se viktima njihej me "Claudie", dhe kanë pasur mosmarrëveshje midis tyre.

Kush është Jani Aliaj 

Aliaj është i lindur në Tepelenë dhe i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm, për vrasjen e bujshme në 1 maj 2016 në Tiranë, ku u vra Elton Çiço në lokalin 'De Niro" në zonën e ish-bllokut.

Në vitin 2000 Jani Alia vret me thikë E.Ballazhiun, në fshatin me emrin Zhabakin. E. Ballazhiu, 20 vjeç, ishte shok fëmijërie me Elton Çiçon. Ata ishin rritur bashkë në Tepelenë, ndërsa Çiço ishte interesuar shumë për të mësuar se kush ishte vrasësi i shokut të tij.

Në momentin që ka marrë vesh se kush ishte vrasësi i shokut të tij, Elton Çiço i ka dërguar fjalë në burg Alisë, duke i thënë se do merrtë hak për këtë vrasje.

Jani Alia, në atë kohë 23 vjeç, ishte arrestuar nga policia greke dhe mbahej në paraburgim. Rreth 3 vite më vonë edhe Elton Çiço arrestohet nga policia greke dhe burgoset në burgun e Koridhalos. Ironia e fatit bën që në të njëjtin burg të jetë edhe Jani Alia, i dënuar me 18 vjet për vrasje, ndërsa Çiço u dënua me 5 vite për drogë.

Aty ndodhi edhe përplasja e parë fizike mes tyre, pasi Çiço plagosi me thikë Alinë, gjatë kohës që kishin dalë në ajrim. Disa javë pas ngjarjes, Jani Alia del nga burgu me leje, pasi kishte kaluar 10 vite në qeli, por nuk kthehet më dhe shpallet në kërkim nga policia. Pak kohë më pas del edhe Elton Çiço, pasi përfundon dënimin. Pas këtij momenti fillojnë edhe atentatet.

PËRPLASJET

Në 10 janar 2016 Elton Çiço tenton të ekzekutojë Alian në Tiranë, te Rruga e Kavajës.

Çiço qëllon disa herë me armë zjarri në drejtim të tij, por nga plumbat plagoset vetëm një person i rastësishëm me inicialet A.Q. Pas hetimeve të policisë u zbulua se objektivi kishte qenë Jani Aliaj, i cili ishte në makinë tip “BMW X6” me targë AA 727.., të cilën më pas e ka zhdukur, megjithëse ky mjet aktualisht është i bllokuar nga policia.

I vendosur për hakmarrje, Çiço organizoi edhe një atentat tjetër, këtë herë në Gjirokastër. Në 25 prill 2016, Jani Aliaj po lëvizte me makinën e një mikut të tij, kur Çiço hapi zjarr ndaj tij. Aliaj u plagos lehtë në dorë, por ia doli të mbijetonte edhe këtë herë.

Policia nuk mundi të provonte autorësinë e Elton Çiços, ndërsa vetë Jani Alia deklaroi se ishte vetëm një ngatërresë.

Prej këtij momenti Jani Alia zhvendoset në Tiranë dhe kërkon ndihmën e Renato Milloshit, me të cilin kishte miqësi të hershme.

Vetëm 1 javë më vonë, më 1 maj 2016 në një lokal në Bllok ekzekutohet me 2 plumba Elton Çiço. Për ngjarjen policia shpalli si autorë Jani Aliajn dhe Renato Milloshin.

Pas vrasjes së Elton Çiços, miqtë e tij, mes tyre Andi Mustafaraj premtuan hakmarrje.

Vetëm 4 muaj pas vrasjes së Çiços, dhe pak kohë pas mesazhit të Mustafarajt, më 21 gusht të  vitit 2016, rreth orës 15:35 në një lokal në afërsi të ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë iu bë atentat me armë Nelgert Patës, i cili njihet si mik dhe bashkëpunëtor i Jani Aliajt.

Për shkak të disa bimëve dekorative që kishte lokali, Nelgert Pata i shpëtoi fushëpamjes së atentatorit dhe mbeti i plagosur lehtë në vesh. Menjëherë pas ngjarjes Pata u largua në drejtim të paditur.

E njëjta skemë është ndjekur edhe në atentatin me armë ndaj Andi Mustafarajt me 28 tetor në një lokal në zonën e Ish-ekspozitës.

Ai është mbajtur në vëzhgim derisa ka zbritur nga makina dhe është ulur në kafe, ku  u qëllua 3 herë me armë duke mbetur i plagosur.

Vrasja e tretë është ajo e 34-vjeçarit Nelgert Pata, mik i Jani Aliajt dhe rival i grupit të Elton Çiços. Pata u ekzekutua në makinën e tij dhe u gjet vetëm pak minuta më vonë nga policia. Po ashtu në periferi të Fierit policia gjeti një makinë të djegur që dyshohet se ishte e autorëve, raportuan mediat në atë kohë.

Ka dyshime se vrasja e tij mund të jetë e porositur. /Pamfleti

jani aliaj burg koridhalos

Lini një Përgjigje