
SPAK ka dërguar për gjykim grupin e Laert Haxhiut, duke ngritur akuza për 9 persona. Për vetë Laertin dosja është veçuar.
Mes veprave penale për të cilat akuzohen janë 4 vrasje, 1 vrasje e mbetur në tentativë dhe 5 shkatërrime prone me lëndë shpërthyese dhe 2 grabitje me armë. Një nga episodet për të cilat akuzohen të pandehurit është edhe shpërthimi në lokalin e reperit Noizy në Durrës, ngjarje e ndodhur më 8 qershor të vitit 2022.
Të pandehurit, akuzohen edhe për vrasjen e Çajup Selimit më 1 qershor 2021 në Tepelenë; të Fridman Xhaferrajt më 2 qershor 2021 në Korçë, Alban Semakut në Peqin më 17 tetor 2021 dhe Albi Bashaliut po në Peqin më 27 dhjetor 2021.
Haxhiu akuzohet se është organizatori i bandës me 15 anëtarë dhe akuzohet për të paktën nëntë vrasje, duke përfshirë dy ekzekutime në Athinë. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për “Masakrën e Lushnjës”, ku u vranë dy persona, Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa disa të tjerë u plagosën.
“Është dokumentuar se aktiviteti kriminal i këtij grupimi të strukturuar është i shtrirë nga muaji prill i vitit 2021 deri në muajin maj të vitit 2023, kur dhe arrestohet në Greqi, drejtuesi dhe organizatori i këtij grupimi kriminal, Laert Haxhiu – personi ndaj të cilit vijojnë hetimet, pas ekstradimit të tij nga Greqia. Laert Haxhiu, organizatori dhe drejtuesi i këtij grupimi kriminal, ku bënin pjesë edhe të akuzuarit; Artan (Marjus) Tafani, Lulzim Spahija (Arapi), Ligor Romaçka, Bledar Berberi dhe Erisiano Abedini, e filloi ndërmarrjen e akteve kriminale ndaj jetës, shëndetit dhe pronës së viktimave të krimeve, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kushëririt të tij (djalit të xhaxhait) Klodian Haxhiut, të ndodhur vite më parë dhe pas arrestimit lidhjeve të tij të ngushta shoqërore, shtetasve Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.
I drejtuar dhe e organizuar nga Laert Haxhiu, grupimi i tij kriminal ndërmori akte konkrete kriminale për vrasjen e personave, të cilët i mendonte si pjesëtarë të grupimit kriminal të Aldo Bares, për të cilët besonte se kishin qenë të përfshirë në vrasjen e kushëririt të tij. Aktet kriminale të këtij grupimi të strukturuar nuk synuan vetëm jetën dhe shëndetin e kundërshtarëve të supozuar, por dhe shkatërrimin e pronës së tyre si dhe akte vjedhjeje të pronës me përdorim të armëve. Përveç vrasjeve të Çajup Selimit e Albi (Dijonist) Bashaliut, të gjitha krimet e tjera të lartpërmendura janë organizuar, shtyrë dhe ekzekutuar në shenjë hakmarrjeje dhe për të njëjtat motive”, tha SPAK.
Lini një Përgjigje