Autoritetet ekuadoriane kanë zbërthyer një skemë miliona euroshe të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave të lidhur me grupe kriminale nga Shqipëria dhe banda lokale.
Autoritetet e Ekuadorit kanë zbuluar një rrjet të gjerë të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave të lidhur me mafien shqiptare, pas dy operacioneve të mëdha policore të zhvilluara së fundmi në vend. Lajmi u raportua nga media ekuadoriane Primicias.
Operacioni “Bremen”, i zhvilluar ditën e djeshme çoi në arrestimin e 26 personave të dyshuar për lidhje me organizatën kriminale Los Lagartos dhe një rrjet transnacional me origjinë nga Ballkani. Sipas hetimeve, rrjeti përdorte metoda të sofistikuara për të fshehur kokainën në ngarkesa me banane dhe koncentrat ari, të destinuara për tregjet e Evropës dhe Kanadasë.
Ky operacion pasoi Operacionin “Costa”, të realizuar një javë më parë, në të cilin u arrestuan 16 shtetas ekuadorianë të dyshuar për bashkëpunim me grupin Los Lobos në trafikun e kokainës. Hetimet zbuluan gjithashtu përfshirjen e një ish-anëtari të asamblesë nga partia Social Cristiana në këtë rrjet kriminal.
Rrënjët e rrjetit kriminal në Ekuador
Sipas hetimeve të autoriteteve, prania e grupeve kriminale shqiptare në Ekuador daton rreth vitit 2009. Emisarë nga Evropa u vendosën në vend, duke përfituar nga kontrolli i dobët kufitar dhe nga ekonomia e dollarizuar, e cila lehtëson qarkullimin e kapitalit.
Fillimisht, ata u prezantuan si biznesmenë dhe investitorë, ndërsa përdorën kapital të madh për të blerë kokainë me çmime të ulëta nga Kolumbia dhe Peruja. Ndryshe nga kartelët tradicionalë, këto grupe shmangën kontrollin territorial dhe preferuan bashkëpunimin me organizatat kriminale vendase.
Sipas hetimeve, mafia ballkanike krijoi aleanca me disa nga grupet më të rrezikshme të vendit, përfshirë Los Choneros, Los Lobos, Los Tiguerones, Mafia-18 dhe Los Lagartos. Në këtë strukturë, organizatat lokale siguronin mbrojtjen dhe logjistikën, ndërsa ndërmjetësit e rrjetit koordinonin transportin ndërkombëtar dhe korrupsionin e zyrtarëve në porte dhe institucione.
Rrugët e trafikut drejt Evropës
Droga transportohej nga depot drejt porteve kryesore të Ekuadorit, përfshirë Guayaquil, Posorja dhe Puerto Bolívar. Nga aty, kontejnerët dërgoheshin drejt porteve të mëdha në Evropë, si Antëerp, Rotterdam, Algeciras, Valencia dhe Vigo, si dhe drejt terminaleve në Gjermani, Itali, Rumani, Shqipëri dhe vende të tjera.
Hetuesit identifikuan disa metoda për fshehjen e kokainës në kontejnerë. Njëra prej tyre është teknika e quajtur “grepi i verbër”, ku droga vendoset në kontejner pa dijeninë e kompanisë eksportuese dhe merret më pas nga punonjës të korruptuar në portin e destinacionit. Metoda të tjera përfshijnë ndërtimin e fundeve të dyfishta në kontejnerë ose ngarkimin e drogës në det të hapur me ndihmën e anëtarëve të korruptuar të ekuipazhit.
Në shumë raste, kokaina maskohej në dërgesa të ligjshme, si kuti me banane, kanaçe me ton, thasë me plehra organikë ose ngarkesa me koncentrat ari.
Pastrimi i parave përmes kompanive fiktive
Hetimet zbuluan gjithashtu një skemë të gjerë pastrimi parash. Sipas autoriteteve, drejtuesit e rrjetit simulonin transaksione ndërkombëtare me vlerë shumë milionë dollarë, investonin në kriptovaluta dhe krijonin kontrata fiktive me prodhues vendas.
Paratë e pastruara përdoreshin për blerjen e pasurive të paluajtshme luksoze, jahteve dhe automjeteve të shtrenjta, si Porsche Cayenne, Jeep Gladiator, Chevrolet Corvette dhe BMË.
Një pjesë e kësaj skeme përfshinte krijimin e një rrjeti kompanish në sektorë të ndryshëm, përfshirë eksportin e bananeve, industrinë e mishit, pasuritë e paluajtshme dhe sigurinë private. Mes kompanive të përmendura në hetim janë Agricomtrade, Sentilver, Damascosëeet, Cresmark, Neoglobal, Carniproduccion dhe Holtexsa, si dhe disa firma të tjera të lidhura me eksportin e frutave dhe shërbimet e sigurisë.
Arrestime dhe vrasje në rrjet
Hetimet kanë çuar në arrestime të disa figurave të njohura të këtij rrjeti. Mes tyre është shqiptari Dritan Gjika, i konsideruar si drejtues i një strukture kriminale të zbuluar në çështjen “Pampa”, i arrestuar në Abu Dhabi në maj 2025. Autoritetet po punojnë për ekstradimin e tij.
Një tjetër figurë e përmendur është Dritan Rexhepi, i njohur si një nga drejtuesit e trafikut të kokainës, i cili u arrestua në Turqi dhe u ekstradua në Shqipëri në fillim të vitit 2025.
Megjithatë, disa persona të lidhur me këtë rrjet janë vrarë para se të përballeshin me drejtësinë. Mes tyre është shqiptari Adriatik Tresa, i cili u vra në Guayaquil në vitin 2020 nga persona të maskuar si policë, si dhe kroati Milan Milovać, i vrarë në të njëjtin qytet pas një konflikti të brendshëm kriminal.
Sipas Primicias, hetimet e fundit tregojnë se rrjetet kriminale nga Ballkani kanë ndërtuar një prani të qëndrueshme në Ekuador gjatë viteve të fundit, duke përdorur bashkëpunimin me grupet lokale për të kontrolluar një pjesë të trafikut të kokainës drejt tregjeve ndërkombëtare./ Përshtati “Pamfleti”
Lini një Përgjigje