I shpallur në kërkim nga SPAK si i dyshuar në përfshirjen në një rrjet të trafikut të armëve nga Shqipëria drejt Anglisë, Alban Gjigiaj ka humbur betejën e bllokimit të ekstradimit.
Westminster Magistrate Court i ka hapur dritën jeshile procesit të esktradimit të Gjidiajt, pas një bashkëpunimi juridik mes CPS, Prokurorisë Mbretërore Britanike dhe drejtorisë për marrëdhëniet me jashtë në Ministrinë e Drejtësisë, Tiranë.
Vendimi i Gjykatës i është përcjellë sekretares së Shtetit për Punët e Brendshme, e cila do të firmosë urdhrin final të ekstradimit, raporton gazetari Muhamed Veliu për Top Channel.
Ndërkohë po sipas dokumenteve të kësaj gjykate, Alban Gjidiaj do të vijojë lirinë me kusht pas një garancie monetare prej 5 mijë sterlinash, monitorimin elektronik, përfshirë paraqitjen çdo të premte në rajonin policor Colindale.
Një vit më parë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët britanikë, lokalizuan në Londër të kërkuarin me një urdhër-arrest të lëshuar nga SPAK, Alban Gjidiajn.
Gjidiaj është i dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që kishte planifikuar të transportonte tetë armë zjarri dhe një sasi të konsiderueshme municioni nga porti i Durrësit drejt bandave në territorin britanik.
Lini një Përgjigje