TAGS-AT E JAVËS

Kronike13 Mars 2026, 15:37

Zhduket 21-vjeçarja në Itali, dyshohet se u kërcënua nga një shqiptar; pistat e hetimit

Shkruar nga Pamfleti
Zhduket 21-vjeçarja në Itali, dyshohet se u kërcënua nga
Elena Rebeca Burcioiu

Dyshohet se një shtetas shqiptar kishte kërcënuar vajzën dhe shoqen e saj para zhdukjes

Hetuesit në Itali po shqyrtojnë edhe pistën e një rrjeti prostitucioni në hetimet për zhdukjen e Elena Rebeca Burcioiu, një 21-vjeçare rumune për të cilën nuk ka më lajme që nga pasditja e 2 marsit. Këtë e raportoi agjencia italiane ANSA, duke cituar burime hetimore.

Sipas dëshmisë së një shoqeje dhe bashkëbanoreje të saj, një burrë me shtetësi shqiptare i kishte kërcënuar të dyja disa ditë para zhdukjes dhe u kishte kërkuar para për t’i lejuar të punonin në zonë si prostituta.

Forcat e rendit dhe mbrojtja civile po vazhdojnë kërkimet prej më shumë se njëmbëdhjetë ditësh në zonat rurale të provincës së Foggias, ku vajza është parë për herë të fundit. Pas denoncimit të zhdukjes nga shoqja e saj 38-vjeçare, hetuesit gjetën fillimisht xhaketën me gëzof që Elena kishte veshur atë ditë dhe, disa kilometra më larg, telefonin e saj celular.

Sipas dëshmisë së shoqes, të dyja kishin mbërritur në Itali rreth tre muaj më parë dhe kishin marrë me qira një apartament në Canosa di Puglia, në provincën e Barit. Fillimisht punuan si punëtore sezonale në bujqësi, por më pas vendosën të zhvendosen në zonën e Foggias për të punuar në prostitucion përgjatë rrugës shtetërore 16, që lidh qytetin e Foggias me San Severo.

Ngjarjet që tërhoqën vëmendjen e hetuesve nisën më 27 shkurt. Sipas dëshmisë, një person me shtetësi shqiptare u ndal pranë Elenës ndërsa ajo ndodhej nën një urë pranë daljes për Manfredonia dhe tentoi ta tërhiqte në makinë. Më pas ai u kthye dhe kërkoi para nga të dyja gratë për t’i lejuar të vazhdonin të punonin në atë zonë, duke pretenduar rreth 150 euro çdo tre ditë nga secila. Ai do të ishte rikthyer edhe në ditët në vijim duke përsëritur kërcënimet.

Sipas të njëjtës dëshmi, hera e fundit që shoqja e pa këtë person ishte më 1 mars, një ditë para zhdukjes së Elenës, kur ai u kishte kërkuar të punonin për të, kërkesë që u refuzua.

Mëngjesin e 2 marsit, në orën 11:16, Elena dyshohet se u largua me një BMW të zezë, në të cilën ndodhej një burrë tjetër, i ndryshëm nga personi që i kishte kërcënuar më parë. Në orën 12:37 shoqja e saj e telefonoi, por telefonata u ndërpre papritur ndërsa ato po flisnin dhe në sfond dëgjohej zëri i një burri. Që nga ai moment, telefoni i saj vetëm ka rënë pa marrë përgjigje.

Hetuesit gjetën më vonë celularin rreth dy kilometra larg vendit ku ishte parë për herë të fundit. Sipas deklaratës së shoqes, dyshimet e saj kryesore nuk janë te personi me të cilin Elena u largua me makinë, por te burri shqiptar që, sipas saj, “kërkonte t’i detyronte të punonin për të”.

Në zonë po kërkojnë edhe qen nuhatës dhe dronë, të cilët po kontrollojnë fusha, ndërtesa të braktisura dhe puse. Deri tani, hetimet kanë pak elemente të sigurta: xhaketa e gjetur pranë rrugës, telefoni disa qindra metra më tej dhe telefonata e fundit me shoqen në orën 12:37. Pas kësaj, nuk ka më asnjë gjurmë të 21-vjeçares.

zhduket 21-vjeçarja në itali

Lini një Përgjigje