
Një nga personat e shpallur në kërkim për atentatin ku mbetën të vrarë Gentjana dhe Kreshnik Mujeci në Lezhë, Besnik Kolndreu, ka reaguar publikisht, duke deklaruar se aktualisht ndodhet në Mal të Zi dhe se është i gatshëm të vetëdorëzohet.
Në një intervistë për "News 24", ai thekson se po pret vetëm konfirmimin nga avokati i tij për t’u paraqitur para autoriteteve shqiptare.
Besnik Kolndreu deklaroi se kishte komunikuar drejtpërdrejt me drejtuesin e Policisë së Lezhës, ndërsa deklaroi se kishte premtuar se do të paraqitet personalisht, “gjallë a vdekur”, për të sqaruar gjithçka dhe për të pastruar emrin e tij.
“Unë kam folur me shefin e madh të Policisë së Lezhës direkt dhe i kam thënë që unë do të vij në këmbë, gjallë a vdekur te ti dhe gjithçka do të sqarohet që të pastroj emrin tim. Thjesht po pres një OK nga avokati im që të më thotë hajde. Pra mua do më shikoni të vetëdorëzuar dhe askush të mos thotë e kapëm këtu e kapëm atje kriminelin sepse nuk jam një kriminel”, u shpreh ai.
Kolndreu mohon njohjen me personat e tjerë të shpallur në kërkim, duke pretenduar se nuk ka pasur kontakte me ta prej kohësh dhe sfidon publikisht çdo pretendim të kundërt.
“Dhe dua të shtoj që dy personat e shpallur në kërkim nuk i njoh fare sepse nuk janë rritur aty, plus unë kam gjithë jetën në mërgim. Le të dalë një shqiptar i vetëm të thotë që më ka parë me ta qoftë një sekondë. Le të kërkojnë telefonata, rrjete sociale në qoftë se kam pasur një komunikim të vetëm me ta”, deklaroi ai.
Ai pranon se njeh vetëm njërin prej tyre, por thekson se nuk ka pasur kontakte të fundit.
“Personin më të rritur e njoh sepse është rritur aty, por le të dalë dikush të thotë që e kam takuar të paktën dy vitet e fundit. Hera e fundit ka qenë para dy vitesh kur e kam paguar të më sjellë torfe me kamionin e tij për serën time”, shtoi Kolndreu.
Në vijim, 40-vjeçari përpiqet të përforcojë alibinë e tij duke theksuar mungesën e prezencës në zonë.
“Unë qendrën e Torovicës e kam 5-6 km larg aty ku janë kafenetë, le të thotë dikush nëse më ka parë 10-12 muajt e fundit aty të pi një kafe… sepse unë nuk kam kohë për kafe”, u shpreh ai.
Kolndreu theksoi gjithashtu se nuk ka dijeni mbi autorët e krimit dhe se zbardhja e ngjarjes i takon drejtësisë.
“Unë nuk e di kush ka vrarë, kanë vrarë apo nuk kanë vrarë. Nuk është kjo puna ime por e shtetit… unë thjesht po flas për personat që më akuzojnë si bashkëpunëtor pa e ditur janë apo nuk janë fajtorë. Këtë e di shteti, gjykata, prokuroria”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje