Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, i dyshuar për përfshirje në aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike, ndërsa dy bashkëpunëtorë të tij janë shpallur në kërkim.
I arrestuari është identifikuar si Gerold Doçe. Sipas policisë, ndalimi i tij erdhi pas një kontrolli rutinë nga efektivët e forcës “Shigjetat”, të cilët e konstatuan duke konsumuar lëndë narkotike të dyshuar si kanabis. Pas ndalimit, policia ushtroi kontroll në ambientet përreth, ku në hapësirat e përbashkëta të një pallati u gjetën disa doza kanabisi.
Dyshimet e mëtejshme çuan në kontrollin e automjetit të Doçes, të parkuar pranë vendit të ngjarjes, ku u zbuluan sasi të tjera të lëndëve narkotike, përfshirë kokainë dhe tableta MDMA.
Gjatë operacionit u sekuestruan 1 kilogram e 32 gram kokainë, 377 gram kanabis sativa, 13 tableta MDMA, si dhe një automjet tip “Mazda”.
Policia dyshon se i riu ishte i përfshirë në rrjete kriminale që merren me shitjen dhe shpërndarjen e narkotikëve. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tij.
"Shërbimet e Forcës e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i punës intensive operative dhe operacionale, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve, të cilët individualisht ose të organizuar si grup, shesin në sasi ose në doza, lëndë narkotike, finalizuan operacionin e koduar “Baza”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi G. D., 26 vjeç, dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. A., 26 vjeç dhe D. A., 24 vjeç.
3 shtetasit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kishin siguruar lloje të ndryshme lëndësh narkotike (Kokainë, Cannabis Sativa dhe MDMA), sasi të të cilave i kishin fshehur në ambientet e përbashkëta të një pallati dhe në një automjet të parkuar përballë tij, me qëllim shitjen.
Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.
Lini një Përgjigje