
Do të zhvillohet sot seanca për Ismail Zenelin i cili do të njihet edhe me masën e sigurisë. Seanca pritet të nisë në orën 12:00.
Zeneli u ekstradua të premten nga Spanja. Ai ishte në kërkim për trafik droge dhe vrasje.
50-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, dhe është pjesë e grupit të bandës ku u arrestua Erzen Breçani.
Kujtojmë se SPAK ka regjistruar procedim në vitin 2023 dhe në kuadër të këtij procedimi, në bashkëpunim me Eurojust dhe Europol, si dhe me agjencitë ligjzbatuese belge, franceze, holandeze, gjermane, braziliane dhe kolumbiane, kanë zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në veprimtari kriminale në Shqipëri, Amerikën e Jugut dhe në disa shtete europiane.
Gjithashtu, hetimet janë kryer dhe në lidhje me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura ne Shqipëri. Dyshohet se shtetasi Ismail Zeneli është koordinuar me bashkëpunëtoret e tij dhe ka dhënë informacione mbi vendndodhjen e shtetasve Edmond dhe Albert Nela, me qëllim vrasjen.
Më tej, dyshohet se ky shtetas është koordinuar me bashkëpunëtorët e tij, për trafikimin e lëndëve narkotike, nga vendet e Amerikës se Jugut, në portet kryesore europiane, veçanërisht në Valencia, Spanjë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me Interpol Madridin, u bë i mundur arrestimi i tij në Spanjë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.
Lini një Përgjigje