Një ndjekje spektakolare, e ngjashme me skenat e filmave aksion, është regjistruar pasditen e kësaj të shtune në Durrës, ku një 35-vjeçar i dehur dhe me automjet pa targa ka sfiduar për më shumë se 30 minuta forcat e policisë.
Sipas burimeve policore, gjithçka nisi kur efektivët e Policisë Rrugore i bënë shenjë drejtuesit të automjetit të ndalonte për kontroll rutinë, por ai refuzoi urdhrin dhe u largua me shpejtësi të lartë.
Menjëherë pas kësaj, patrullat e policisë dhe forcat “Shqiponja” u vunë në ndjekje të automjetit, ndërsa 35-vjeçari lëvizte me manovra të rrezikshme në disa segmente rrugore, duke rrezikuar seriozisht drejtuesit e tjerë të mjeteve dhe kalimtarët.
Burime për mediat bëjnë me dije se i riu ka refuzuar në mënyrë të përsëritur t’u bindet thirrjeve të policisë për të hapur krahun dhe ndaluar mjetin.
Ndjekja ka vijuar për disa kilometra dhe ka shkaktuar tension në zonat ku automjeti kalonte me shpejtësi të lartë, ndërsa efektivët tentonin ta bllokonin pa rrezikuar qytetarët.
Operacioni mori fund pranë zonës së Shënavlashit, ku policia, për të shmangur pasoja më të rënda, u detyrua të godiste automjetin e 35-vjeçarit dhe ta neutralizonte.
Menjëherë pas ndalimit të mjetit, i riu u vu në pranga nga forcat “Shqiponja”.
Sipas të dhënave paraprake, ai dyshohet se ishte në gjendje të dehur në momentin e ndjekjes, ndërsa ndaj tij pritet të ngrihen disa akuza, mes tyre mosbindje ndaj urdhrit të policisë, drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe rrezikim i sigurisë në rrugë. Policia po vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Lini një Përgjigje