Policia dhe familjarët e Leonard Thodhorin i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovarit (Krasniqin), kanë nisur sërish kërkimet ditën e sotme në Konispol. Ata rezultojnë të zhdukur që prej gati 19 ditësh dhe ende nuk ka asnjë gjurmë prej tyre. Policia dyshon se të dy janë ekzekutuar dhe groposur në fshatin Vrinë të Konispolit. Kërkime u zhvilluan edhe një ditë më parë në 4 fshatra, Vrinë, Shëndelli, Mursi dhe në fshatin Xarrë në Sarandë, por nuk ka pasur asnjë rezultat.
Po hetohen disa pista për këtë ngjarje, motivi kryesor mendohet të jetë shit-blerja e një toke, por nuk përjashtohet as pista për të kaluarën e tyre, pasi të dy janë persona me precedentë për çështje narkotikësh.
Policia tregohet shumë të rezervuara në dhënien e informacioneve, por dyshohet se ata janë ekzekutuar. Në një magazinë në afërsi te fshatit Nivicë të Bashkisë, Himarë është gjetur i fshehur një automjet tip “Mercedes-Benz” që mendohet se është mjeti me të cilin janë rrëmbyer Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari.
Autorët e dyshuar janë kujdesur të fshehin provat mirë, pasi një prej 8 automjeteve të sekuestruara për verifikim, rezulton që ka pasur disqet e gomave të lyera për kamuflim. Mungesa e provave konkrete, por kryesisht e trupave, mendohet se është arsyeja pse policia nuk po e konkludon operacionin me arreste, ndonëse ka pasur disa të shoqëruar.
Paraprakisht mendohet se dy të zhdukurit i kanë njohur rrëmbyesit, pasi në disa pamje filmike të lëvizjes së mjetit te tyre, dallohet Fatmir Sulovari teksa ndodhet i ulur në sediljen e parë duke mbajtur dorën në tavan. Nga pamjet filmike është e vështirë te dallohet shoferi dhe pasagjerët pas, por dihet qe targat e mjetit janë greke të vjedhura në Lezhë.
Lini një Përgjigje