
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Lezhë, ku një i ri është marrë peng nga trepersona.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur parkingun e një lokali në aksin “Lezhë-Milot", ku tre personat tashmë të identifikuar nga policia kanë futur me dhunë në makinën e tyre të riun e identifikuar si Ded Gjoka. Dyshohet se pengmarrja ka ardhur si shkak i një sherri të ndodhur në qytetin e Lezhës.
Pas identifikimit të autorëve mësohet se policia është vënë në ndjekje të dy automjeteve dhe po punon për arrestimin e tyre. Pak minuta më vonë policia njoftoi se 35-vjeçari ishte liruar.
“Lezhë/Informacion paraprak/ Rreth orës 14:30, në vendparkimin e automjeteve të një lokali në aksin rrugor “Lezhë-Milot”, dyshohet se gjatë një konflikti fizik, tre shtetas kanë dhunuar dhe më pas kanë marrë me forcë me automjet, shtetasin D. Gj., rreth 35 vjeç, banues në Lezhë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë së Lezhës kanë ngritur pika kontrolli në përimetrin rrethues dhe në akset lidhëse, me qëllim kapjen e autorëve, të cilët janë identifikuar nga Policia, konkretisht shtetasit K. P., B. V. dhe Xh. E., të tre banues në fshatin Tresh.
Gjithashtu, u ngritën pika kontrolli në akset rrugore drejt Tiranës, Shkodër dhe Kukësit.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe të gjendur nën presionin e kontrolleve intensive të Policisë, autorët dyshohet se e kanë zbritur nga automjeti, shtetasin D. Gj., i cili aktualisht po merr ndihmë mjeksore në spitalin e Lezhës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit. Ndërkohë, vijojnë kontrollet intensive për kapjen e autorëve”, njofton policia.
Lini një Përgjigje