TAGS-AT E JAVËS

Kronike 4 Korrik 2023, 15:44

Mbushën vendet nordike me kokainë dhe kanabis, arrestohe 2 pjesëtarë të grupit të Jetmir Kastratit

Shkruar nga Pamfleti
Mbushën vendet nordike me kokainë dhe kanabis, arrestohe 2
Jetmir Kastrati dhe paratë që ju sekuestruan grupit kriminal

Policia ka vënë në pranga sot dy persona me urdhër të SPAK, të cilët ishin në kërkim si pjesë e një grupi kriminal që shpërndante drogë në disa shtete të BE.

Bëhet fjalë për shtetasit K.D dhe A.M, të njohur si pjesëtarë të grupit të Jetmir Kastratit. Ky i fundit dhe shumë pjesëtarë të tjerë u goditën gjatë një operacioni të zhvilluar në vitet 2018-2019. Personat në fjalë shpërndanin kanabis dhe kokainë në vendet nordike.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.76, datë 28.06.2023 ka vendosur masat e sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale, për shtetasit nën hetim K.D dhe A.M, të dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Më datë 03.07.2023 nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shtetit është bërë i mundur ekzekutimi i masave të sigurimit personal, duke u arrestuar shtetasit nën hetim K.D dhe A.M”, njofton SPAK.

Sipas prokurorisë, personat e arrestuar dyshohen se janë pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, të cilët në kuadër të hetimeve të kryera në Danimarkë në lidhje me “Operacionin Goldfinger” dhe të zhvilluar gjatë viteve 2018-2019, dyshoheshin se kanë trafikuar, ruajtur, përpunuar dhe shpërndarë sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike kokainë dhe mariuhanë, duke vepruar kryesisht në Danimarkë, Suedi, Norvegji, Belgjikë, Holandë dhe Gjermani.

Në kuadër të këtij grupi të strukturuar kriminal, në Danimarkë janë arrestuar, dërguar për gjykim dhe dënuar nga Gjykata e Kopenhagen anëtarët kryesorë të grupit të strukturuar kriminal midis të tjerësh shtetasit shqiptarë Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasniqi), Defrim Beck (Elbasani), Armando Doçaj, Eri Pelinku, Ervin Pelinku, Nikardo Preka, Kejdi Beqiri, Fatjon Elbasani, Murat Lipovica, Hasan Murati, Shkëlzen Murati dhe Ylber Troci, të cilët janë dënuar me burgim nga Gjykata e Kopenhagen dhe aktualisht po vazhdon gjykimi në Gjykatën e Apelit.

Si drejtues i grupit të strukturuar kriminal nga autoritetet daneze të drejtësisë është konsideruar shtetasi Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasniqi).

Ndërkohë në Shqipëri në kuadër të hetimeve paraprake të zhvilluar ndaj anëtarëve të tjerë të këtij grupi të strukturuar kriminal, në lidhje me proçedime të tjera penale të regjistruar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rezulton se janë dënuar me burgim për veprat penale penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287, pika 1, gërmat “a”, “b” dhe “d” e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal shtetasit Jetmir Kastrati (alias Sokol Krasniqi), Astrit Beqiri dhe Dhimitër Shkodrani.

Aktualisht hetimet paraprake në lidhje me procedimin penal nr.49 të vitit 2023 po kryhen nga Hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim me Oficerë të Shërbimeve të Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorëve të Posaçëm.

Si funksiononte grupi

Jetmir Kastrati që njihet është dënuar nga GJKKO me 13.6 vjet burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, i pandehuri është dënuar përfundimisht 9 vjet burgim, dënim të cilin duhet ta vuajë në burg të sigurisë së lartë. Sipas GJKKO që nga viti 2012 deri në qershor të vitit 2019 i pandehuri Jetmir Kastrati, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka trafikuar sasi të mëdha kokaine në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji, nga shitja e së cilës ka siguruar të ardhura me origjinë kriminale.

Zbulimi i aktivitetit kriminal, hetimi dhe gjykimi i Jetmir Kastratit, në lidhje me pastrimin e produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale është bërë falë bashkëpunimit të ngushtë të Prokurorisë së Posaçme me autoritetet e drejtësisë së Danimarkës dhe Norvegjisë, njoftoi dje SPAK. Jetmir Kastrati është kunati i Astrit Beqirajt, ndërsa rezulton se është arrestuar në Danimarkë.

Grupi i strukturuar kriminal funksiononte sipas një skeme të mirëpërcaktuar, ku paratë e ardhura nga krimi i trafikimit të narkotikëve, i dërgonte “cash” nga Kopenhagën, Danimarkë, në Tetovë – Maqedoni e Veriut.

Dërgimi nga Kopenhagën në Maqedoni të Veriut bëhej duke i transportuar paratë me anë të autobusëve (e regjistruar në Tetovë), një nga ortakët e së cilës ishte B. Ali, i arrestuar në Danimarkë. Në Tetovë paratë merreshin kryesisht nga anëtari tjetër i grupit të strukturuar kriminal, Dhimitër Shkodrani, i cili kalonte kufirin në pikat e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut dhe më tej këto para dërgoheshin tek Astrit Beqiri, si dhe të afërm të tjerë të grupit kriminal.

Transferimi i parave sipas kësaj skeme bëhej me një frekuencë rreth 2 herë në muaj. Astrit Beqiri është kunati i drejtuesit të grupit të strukturuar kriminal Jetmir Kastrati (i njohur në Danimarkë si Sokol Krasniçi), i arrestuar në Danimarkë.

Hetimi i mëtejshëm provoi se Astrit Beqiri paratë e ardhura nga krimi kishte mundur t’i pastronte duke i investuar në biznes, siç ishte pularia “RENS 2015”, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, të sekuestruara. Hetimet dhe arrestimi tyre ishte si pjesë e operacionit të gjerë të zhvilluar në 26 qershor 2019, ku mori pjesë dhe Europol dhe u zhvillua në disa vende të Europës.

kokaine jetmir kastrati

Lini një Përgjigje