TAGS-AT E JAVËS

Kronike13 Maj 2026, 11:15

Kacavirreshin në banesa për të vjedhur, çmontohet banda e “skifterëve” shqiptarë në Itali; mes 4 të arrestuarve edhe një çift (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Kacavirreshin në banesa për të vjedhur, çmontohet banda e
Pamje nga operacioni

Katër shqiptarë, mes tyre edhe një çift, janë arrestuar nga policia italiane në kuadër të një operacioni kundër një grupi të dyshuar për vjedhje seriale në Itali.

Të arrestuarit janë dy burra të moshës 25 dhe 35 vjeç, si edhe një çift 52 dhe 33 vjeç. Operacioni u zhvillua nga Policia e Milanos, ndërsa kontrollet dhe bastisjet u shtrinë në rajonet e Lombardisë dhe Marche. Hetimet po ndiqen nga Zyra e Prokurorit Publik në Pesaro.

Sipas autoriteteve italiane, një person i pestë, i lidhur me dy të rinjtë e arrestuar dhe që dyshohet se është kthyer në Shqipëri, është shpallur në kërkim.

Tre nga të dyshuarit akuzohen për një sërë vjedhjesh në banesa dhe për posedim të mallrave të vjedhura, krime të kryera gjatë periudhës shkurt-prill 2026. Dy prej tyre u lokalizuan dhe u arrestuan në banesat e tyre në Vimodrone dhe Pioltello, në zonën e Milanos.

Gjatë hetimeve dolën në dritë prova edhe ndaj dy bashkëpunëtorëve të tjerë shqiptarë, 52 dhe 33 vjeç, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në vjedhje të tjera banesash në Italinë Veriore gjatë muajit prill 2026. Ata u gjetën në Melzo, pranë Milanos.

Autoritetet italiane kanë lëshuar gjithashtu urdhra burgimi për dy nga të arrestuarit, të cilët duhet të vuajnë dënime të mbetura prej më shumë se pesë dhe tre vitesh.

Hetuesit zbuluan edhe një bazë operative të grupit, një garazh nëntokësor në provincën e Milanos, që përdorej si pikënisje për lëvizjet e tyre.

Sipas Skuadrave Fluturuese të Milanos dhe Pesaros, banda njihej për lëvizjet me shpejtësi të lartë, duke përdorur automjete të fuqishme me targa të klonuara, raportojnë mediat italiane, mes tyre edhe RAI.

Gjatë operacionit, policia ushtroi kontrolle në disa banesa dhe sekuestroi sende me vlerë të konsiderueshme, përfshirë para cash, bizhuteri, ora luksoze dhe mjete të përdorura për vjedhje me thyerje.

 

skiftere shqiptare itali vjedhje

Lini një Përgjigje