TAGS-AT E JAVËS

Kronike12 Maj 2026, 21:40

“Shqiptarët po na shkatërrojnë"/ Përgjimet e SkyEcc zbulojnë 'hallin' e madh të trafikantit 'Putin'

Shkruar nga Pamfleti
“Shqiptarët po na shkatërrojnë"/ Përgjimet e
Foto ilustruese

Një hetim i autoriteteve italiane ka nxjerrë në pah tensionet dhe vështirësitë brenda rrjeteve të trafikut të kokainës të lidhura me organizatën mafioze ’Ndrangheta, pas sekuestrimeve të mëdha të drogës në Amerikën Latine dhe Europë.

Sipas medias italiane Corriere della Calabria, trafikanti Giuseppe Grillo, i konsideruar një figurë kyçe në trafikun e kokainës në veri të Italisë, kërkoi mbështetjen e brokerit të njohur të drogës Bartolo Bruzzaniti për të siguruar furnizime të reja dhe për të kufizuar humbjet pas goditjeve të fundit të autoriteteve.

Nga bisedat e deshifruara në platformën SKY ECC, hetuesit kanë rindërtuar një seri komunikimesh ku Grillo, me pseudonimin “Putini”, ankohej për humbjen e një ngarkese prej 450 kilogramësh kokainë të sekuestruar në Kolumbi. 

Në mesazhet drejtuar Bruzzaniti-t, i njohur si “Paris”, Grillo kërkonte çmime më të favorshme dhe furnizim shtesë. Ai përmendte gjithashtu ngarkesa të tjera prej 800 dhe 1100 kilogramësh, duke lënë të kuptohej se humbjet dhe mungesa e “mallit” kishin krijuar vështirësi serioze financiare.

Sipas dokumenteve hetimore, situata ishte rënduar edhe nga rënia e çmimit të kokainës në treg. Grillo ia atribuonte këtë konkurrencës së grupeve shqiptare dhe klaneve të San Luca-s e Piana-s, të cilat, sipas tij, po “shkatërronin” tregun me drogë me cilësi më të dobët.

Në këtë kontekst, Grillo i kërkonte Bruzzaniti-t një furnizim që do t’i lejonte të përballonte konkurrencën. “Nëse arrijmë të luftojmë çmimin e këtyre shqiptarëve… gjejmë dy-tri depo dhe do ta shohësh që luftojmë”, shkruante ai në një nga komunikimet e cituara nga hetuesit.

Marrëveshja mes palëve, sipas prokurorisë, u konkretizua me shitjen e 25 kilogramëve kokainë nga Bruzzaniti te Grillo, me çmim 32.500 euro për kilogram. Vlera totale e transaksionit arrinte në 812.500 euro.

Pagesat, sipas bisedave, u organizuan me këste. Grillo përmendte shuma prej 350 mijë, 300 mijë dhe 100 mijë eurosh, ndërsa Bruzzaniti udhëzonte njerëzit e tij për të tërhequr para në zonën e Bianco-s. Në një komunikim tjetër, pas dorëzimit të parave, vinte edhe konfirmimi: “U dorëzua”.

Një pjesë e drogës, sipas rindërtimit të hetuesve, ishte destinuar për Domenico Papalia-n, ortak i Grillo-s. Nga bisedat rezulton se Papalia do të merrte pak më shumë se 17 kilogramë kokainë, të dorëzuar më 8 janar 2021 nga njerëzit e Grillo-s.

Hetimet milaneze e vendosin këtë episod në një panoramë më të gjerë trafiku ndërkombëtar droge, ku sekuestrimet e mëdha, borxhet dhe konkurrenca mes grupeve kriminale kishin krijuar tensione të forta brenda rrjeteve të furnizimit.



 

shqiptarët klan kriminal grup

Lini një Përgjigje