TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Maj 2023, 09:24

"Jam zyrtar i lartë"/ Mashtroi biznesmenin dhe i mori 70 mijë euro, arrestohet 52-vjeçari në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti

"Jam zyrtar i lartë"/ Mashtroi biznesmenin dhe i mori 70

Një 52-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi përmes mashtrimit i kishte marrë 70 000 euro një biznesmeni.

52-vjeçari Shpëtim Hida përdorte rrjetet sociale për t’iu kërkuar shuma të mëdha parash biznesmenëve, pasi iu prezantohej atyre si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror. 

Policia ka sekuestruar 70 000 euro, një automjet dhe një aparat celular.

Njësia “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, falë rritjes së besimit të qytetarëve, për të denoncuar pranë strukturave policore, raste të veprimtarisë kriminale me qëllim përfitimin e vlerave monetare, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, ka organizuar dhe finalizuar me sukses një tjetër operacion për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale. 

Gjatë operacionit policor të koduar "Arkitekti", shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin Sh. H., 52 vjeç, banues në Tiranë, gjatë kohës që po i merrte shumën 70 000 euro, një shtetasi (biznesmen), të cilin e kishte mashtruar në komunikimet në rrjetet sociale, duke iu prezatuar si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror. Shuma 70 000 euro u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet dhe një aparat celular.   

Nga veprimet hetimore dyshohet se 52-vjeçari ka mashtruar edhe shtetas të tjerë, në komunikimet në rrjetet sociale, duke i kërkuar para atyre, pasi iu prezantohej si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror.   

Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. 

Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Mashtrimi”.  

Policia e Shtetit falënderon qytetarët, për rritjen e besimit për të denoncuar në strukturat policore, raste të tilla, por dhe raste të tjera të paligjshmërive, në të gjitha fushat që ato shfaqen. 

Policia e Shtetit fton qytetarët, operatorët ekonomikë në shkallë vendi dhe të dëmtuarit e tjerë, në rast se kanë dijeni apo dyshojnë për veprimtari kriminale të kësaj natyre, që ta denoncojnë atë pa hezituar, në strukturat policore në të gjithë vendin, duke i garantuar se Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet në burime njerëzore dhe operacionale, që të ndëshkojë cilindo që implikohet në këtë veprimtari krininale dhe në çdo paligjshmëri tjetër.

Lini një Përgjigje