Prokuroria e Shkodrës i ka përcjellë materialet Ministrisë së Drejtësisë bashkë me kërkesën për ekstradimin e Ibrahim Licit.
Ky i fundit u arrestua sipas Policisë shqiptare javën e kaluar në Turqi lidhur me vrasjen e Endri Mustafës, ndërsa familjarët pretenduan se i shumëkërkuari u vetëdorëzua.
Pas kësaj pritet që ministria e Drejtësisë t'i drejtohet shtetit turk me kërkesën zyrtare të ekstradimit.
Gjykata Shkodrës, në vitin 2021, i ka caktuar Licit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, Endri Mustafën.
Po kush është Ibrahim Lici?
Ibrahim Lici është djali i ish-këshilltarit të Bashkisë së Shkodrës, Mustafa Lici. Së fundmi ai ka qenë edhe subjekt i strukturës, Operacioni Forca e Ligjit, ndërsa rezulton në kërkim për disa vrasje të bujshme.
Sipas policisë, Lici është autori kryesor i atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019. Ata u ekzekutuan në portën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi dhe ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër.
Astrit Bilali, i cili mbetur i vdekur së bashku me të vëllanë e tij me 30 mars 2019, është babai i Astmer Bilali, ish kampionit boksit i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.
Lini një Përgjigje