
Një 37-vjeçar i shpallur në kërkim është arrestuar nga Policia. Ai akuzohet se ka shkatërruar me zjarr një biznes, më konkretisht një mobileri.
I arrestuari është Bledar Balliu, i cili në një video të publikuar nga policia, shfaqet duke i vënë zjarrin një mobilerie. Kjo e fundit është në pronësi të Eduart Alikos.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 6 Tiranë, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasit:
B.B., 37 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me datë 13.01.2026, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”.
Nga hetimet intensive, të zhvilluara përgjatë disa muajve dhe me përdorimin e metodave speciale të hetimit, u dokumentua se më datë 11.11.2025, në orët e para të mëngjesit, në lagjen “28 Nëntori”, në Vlorë, 37-vjeçari ka djegur katin e parë të një subjekti privat.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lini një Përgjigje