TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Mars 2026, 09:10

Debati me të dashurën përfundon me të shtëna, shqiptari plagos pronarin e restorantit në Belgjikë

Shkruar nga Pamfleti

Debati me të dashurën përfundon me të shtëna, shqiptari

Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin Zele në Belgjikë, ku një shtetas shqiptar dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri pronarin e restorantit ku ndodhej për darkë me të dashurën e tij.

Sipas mediave belge, ngjarja ndodhi rreth orës 20:30 në restorantin “Yega”, në qendër të qytetit. Çifti kishte shkuar për të darkuar, por situata mes tyre ka degraduar në një debat të fortë.

Pronari i restorantit, Mehmeti, 45 vjeç, ndërhyri për t’u kërkuar të qetësoheshin, pasi në ambient ndodheshin edhe klientë të tjerë. Ai tregoi për mediat se në atë moment klienti nxori një pistoletë dhe e drejtoi drejt tij.

Sipas pronarit, kur ai tentoi të telefononte policinë, shqiptari hapi zjarr duke e plagosur në qafë. Mehmeti thotë se në përpjekje për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm, u përpoq të kapte armën, çka çoi në një përleshje të shkurtër mes tyre, përpara se autori të largohej nga restoranti.

I plagosuri u dërgua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore dhe më pas u kthye në shtëpi. Ai dhe familja e tij janë shprehur të tronditur nga ngjarja. Sipas tyre, autori kishte qenë klient edhe më parë, por nuk kishte krijuar probleme.

Pronarët e restorantit thanë gjithashtu se ai nuk dukej i dehur, pasi gjatë mbrëmjes kishte porositur vetëm një pije freskuese.

Në momentin e incidentit, fëmijët e familjes nuk ndodheshin në restorant. Autori është larguar nga vendi i ngjarjes duke marrë me vete armën, ndërsa kamerat e sigurisë së lokalit kanë regjistruar pamje që mund të ndihmojnë në identifikimin e tij.

Policia belge ka konfirmuar incidentin, por nuk ka dhënë detaje të tjera për shkak të hetimeve në vazhdim. Prokuroria është vënë në dijeni të rastit, ndërsa ekspertët kanë kryer një tjetër inspektim në ambientet e restorantit mëngjesin e sotëm. Për shkak të hetimeve, lokali do të qëndrojë i mbyllur deri në një njoftim të dytë.

 “Armën ai e mori me vete më pas. Fatmirësisht, kemi pamje nga kamerat dhe autori shihet aty. Shpresojmë që ai të arrestohet sa më shpejt. Nuk kemi asnjë ide pse kishte një pistoletë në restorantin tonë”, u shpreh pronari i restorantit.

Lini një Përgjigje