Azgan Mërnica, autori i vrasjes së efektivit të “Shqiponjave” në Fier, Novruz Cenalia do të njihet sot me masën e sigurisë.
Ka dalë sot para gjykatës Azgan Mërnica, autori i vrasjes së efektivit të "Shqiponjave" në Fier, Novruz Cenaliaj.
Ai mbërriti në gjykatën e shkallës së parë Fier, i veshur me antiplumb, nën masa të rrepta sigurie.
23-vjeçari shihet i qetë në kafazin e qelqtë, në pritje të komunikimit të masës së sigurisë.
Azgan Mërnica u dorëzua në policinë e Fierit dy ditë më parë, pas disa orësh negociata. Mësohet se kanë qenë familjarët që e kanë bindur t'i japë fund arratisë, pasi policia e kishte lokalizuar zonën ku fshihej.
Sipas burimeve, ai ishte fshehur në fshatin Dermenas. Më pas policia u ka kërkuar familjarëve të ndërhyjnë, pasi nëse ai hapte zjarr do qëllohej për vdekje.
Më herët në dëshminë e tij, Mërnica nuk ka shfaqur pendesë teksa tregoi se gjithçka ka qenë momentale.
“Kam menduar që më shau dhe ofendoi dhe prandaj kam ndaluar të sqarohem dhe ka nisur sherri”, tregoi ai, duke shtuar se në këtë moment ka dalë jashtë makinës për t’u sqaruar dhe ka parë që polici ka afruar dorën te arma e shërbimit.
I riu ka deklaruar se ka qëlluar duke menduar se do ta vriste efektivi i pari, pasi sipas 23-vjeçarit Novruz Cenalia kishte afruar dorën te arma e shërbimit. Viktima dhe autori janë përplasur me njëri tjetrin fizikisht, më pas 23-vjeçari ka deklaruar se ka patur një konflikt mes tyre.
"Patëm konflikt, më shau e shava, nxorëm armët të dy e qëllova i pari, nuk jam bërë pishman për atë që bëra”, shprehej autori.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj në Baltëz të Fierit. Efektivi i policisë, Novruz Cenalia ishte nisur me makinë për në punë, pasi ishte turni i dytë, por në një ngushticë rruge hasi një “Audi” përballë, i cili drejtohej nga Azgan Mërnica. Të dy debatuan se kush duhej të hapte rrugën dhe në një moment i riu 23-vjeçar nxori armën dhe qëlloi për vdekje efektivin. Ai ishte në automjet bashkë me nënën e tij. Më pas u largua me shpejtësi dhe braktisi makinën te disa të afërm, duke u larguar në këmbë.
Lini një Përgjigje