
Del sot para gjykatës Aleks Marku, 40-vjeçari i cili u arrestua nga forcat RENEA, pasi mbajti peng dy fëmijët e mitur në një apartament me qira në Durrës.
Marku pritet të njihet sot me masën e sigurisë.
Në dëshminë e tij të dhënë për grupin hetimor, Aleks Marku tha se qëlloi me armë zjarri pasi dyshonte se do ta sulmonin, personat me të cilat kishte konflikte.
Ndërkohë, në Lezhë nuk rezulton të ketë pasur precedent. Sipas bashkëshortes ai ka qenë në arrest shtëpie në Itali për armëmbajtje pa leje dhe se ishte larguar dhe ishte kthyer në Shqipëri.
Prej një viti kishte blerë një banesë në Lezhë, ndërsa kishte pak kohë që ishte vendosur në Durrës.
Ai ka pranuar konfliktin me bashkëshorten, e cila sipas tij ishte e lidhur me dikë tjetër. Ndërkohë, që në dëshminë e tij pohon se në apartmentin shkoi mori fëmijët sepse donte t'i largonte nga i dashuri i gruas. Sakaq, 40-vjeçari pretendon se ky i fundit po vinte për ta sulmuar, prandaj kishte dalë me kallashnikov në dritare.
"Unë me fëmijët kam katër ditë që qëndroja në shtëpi në plazh dhe fëmijët ishin shumë mirë me mua. Gruaja kishte ikur në Itali dhe kemi disa kohë që kemi debate me njëri-tjetrin. Nga debati i fundit që patëm ajo u largua për në Itali dhe unë mora fëmijët dhe erdhëm në Durrës. Ajo ka dashnor dhe prandaj doja t’i largoja fëmijët. Dje në shtëpi kanë ardhur dashnorët e saj për të na sulmuar dhe unë prandaj dola në dritare duke qëlluar që të largoheshin. Nuk i kam bërë gjë fëmijëve, thjesht djalin e mora me vete në ballkon kur po qëlloja, që ta kisha dëshmitar. Nuk jam treguar i dhunshëm me fëmijët", deklaroi Aleks Marku në polici.
Lini një Përgjigje