TAGS-AT E JAVËS

Kronike27 Prill 2026, 09:49

Atentati në Lezhë ku ekzekutua Kreshnik Mujeci, zgjerohet pista e hetimit; 39-vjeçari person konfliktual

Shkruar nga Pamfleti
Atentati në Lezhë ku ekzekutua Kreshnik Mujeci, zgjerohet pista e
Kreshnik Mujeci

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati në Balldre të Lezhës ku humbën jetën çifti i bashkëshortëve, Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.

Ngjarja u regjistrua pasditen e së dielës, teksa ata po udhëtonin me automjetin e tyre drejt banesës.

Sipas të dhënave nga grupi hetimor, autorët dyshohet se kanë qenë dy persona. Ata kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të mjetit tip “Audi Q7”, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të çiftit. Nga dinamika e sulmit rezulton se goditja është kryer në lëvizje.

Hetimet nuk janë përqendruar vetëm te mundësia e hakmarrjes. Strukturat hetimore po shqyrtojnë edhe konflikte të tjera të mundshme, pasi viktima Kreshnik Mujeci përshkruhet si person me përplasje të vazhdueshme në zonë. Të afërm të tij kanë kërkuar zgjerimin e verifikimeve, duke argumentuar se një histori e mëparshme hasmërie konsiderohej e mbyllur.

Kreshnik Mujeci ka protestuar edhe në Rrjoll të Velipojës.

Në vëmendje të hetuesve ka hyrë edhe një ngjarje e ndodhur rreth një dekadë më parë në zonën e Malit të Jushit. Në atë rast, Kreshnik Mujeci ishte përfshirë në hetime për vrasjen e një banori nga Torovica.

Çështja kaloi në disa shkallë të gjyqësorit dhe ai nuk pranoi asnjëherë përfshirjen. Në atë kohë u vetëdorëzua një i afërm i tij, i cili kishte pasur konflikt me viktimën një ditë para ngjarjes. Më pas u arrestuan edhe dy vëllezër, përfshirë Kreshnikun, por ata mohuan pjesëmarrjen.

Policia vijon mbledhjen e provave dhe identifikimin e autorëve, ndërsa nuk përjashton asnjë pistë hetimi në këtë fazë.

U gjykua për vrasje, si fitoi pafajësi në 2 shkallë Kreshnik Mujeci?

Në tetor 2017, Kreshnik Mujeci, i dyshuar si shënjestra e atentatit të së dielës në Balldre, u arrestua si një nga autorët e dyshuar të vrasjes me armë zjarri të Genc Mhillajt.

47-vjeçari Mhillaj u qëllua nga dy persona, një prej të cilëve i maskuar, në zonën e Malit të Jushit, në Shkodër. Më herët, për të njëjtin krim ishte prangosur vëllai i tij Jozef Mujeci.

Prokuroria e Shkodrës ngriti dyshime se vëllezërit kishin qëlluar me armë zjarri Mhillajn, pasi pak ditë para ngjajres viktima ishte konfliktuar për motive të dobëta me Jozef Mujecin. Pretendimet e saj prokuroria i bazoi në gjetjen e një mjeti “Audi A3” me kofano dhe marmitë të nxehtë në banesën e babait të Jozef Mujecit ditën e ngjarjes, që provonte se mjeti ishte përdorur këtë ditë.

Po sipas prokurorisë, pranë vendngjarjes u gjet një furgon “Mecedes Benz” në emër të Kreshnik Mujecit, brenda të cilit u gjet një pistoletë tip “TT”.  

Akuza u mbështet edhe mbi përgjimet ambientale të disa dëshmitarëve, se mjeti Audi kishte lëvizur një orë para mbërritjes së policisë. Mbi këto pretendime prokuroria kërkoi deklarimin e fajshëm të vëllezërve. Më 27 nëntor 2018 Gjykata e Shkodrës vlerësoi se akuzat nuk provoheshin.

Vëllezërit Kreshnik e Jozef Mujeci u deklaruan të pafajshëm dhe u urdhërua lirimi i menjëhershëm i tyre. Sipas të dhënave zyrtare, vendimi është ankimuar në prokurori. Apeli i Shkodrës vendosi mospranim të ankimit më nëntor 2019, duke lënë në fuqi pafajësinë e vëllezërve.

Apeli arsyetonte në vendim se prokuroria kishte paraqitur një ankim pa asnjë shkak dhe pa asnjë argument, në kundërshtim me formën e kërkuar nga ligji dhe se plotësimin e tij e kishte bërë përtej afateve ligjore.

Më tej, çështja u zhvendos në Gjykatën e Lartë, ku përmes këtij vendimi një Kolegj Penal vendosi ta kthejë për rigjykim në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm, me një trupë tjetër anëtarësh. 

Lini një Përgjigje