
SPAK ka zyrtarizuar sot akuzat ndaj dy ish-prokurorëve të Sarandës, Kledian Llaho dhe Çlirim Shahini, duke i marrë të pandehur për një skandal të rëndë korrupsioni që tregon sesi drejtësia është kthyer në pazare me çmime të përcaktuara. Hetimi për ta u fokusua në një episod konkret ku atyre u kërkohen 55 mijë euro shtetasit Pando Papuçi, vetëm për t’i lehtësuar masën e sigurisë në një procedim penal për ndërtim pa leje.
Sipas dosjes së SPAK, Llaho akuzohet për “korrupsion pasiv i funksionarëve të drejtësisë”, ndërsa Shahini, tashmë avokat, për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”. Hetimi nisi pas denoncimit të Papuçit dhe zbuloi se ai i kishte paguar 30 mijë euro fillimisht përmes sekserit Vasil Bakalli, një biznesmen që vepronte si ndërmjetës mes prokurorëve dhe të hetuarve. Paratë dyshohet se janë siguruar në Greqi dhe më pas i janë dorëzuar Llahos për të ndërhyrë në ndryshimin e masës së sigurisë.
Me një vendim të rrufeshëm të gjyqtares Edona Vajushi, masa e “arrest me burg” u kthye në “arrest shtëpie” brenda një ore. Më pas, Çlirim Shahini mori edhe 25 mijë euro të tjera nga Papuçi, për të kërkuar sërish zbutje të masës në “detyrim paraqitjeje”, gjë që u pranua gjithashtu nga gjykata. SPAK e konsideron këtë një skemë të mirëorganizuar korrupsioni në zemër të sistemit të drejtësisë lokale.
Por ironikisht, në gusht të këtij viti, Gjykata e Apelit rrëzoi çështjen ndaj Papuçit, duke konkluduar se ai nuk kishte konsumuar vepër penale për ndërtim pa leje. Në të njëjtin muaj, Kolegji i Posaçëm i Apelimit e shkarkoi nga detyra prokurorin Kledian Llaho për pasaktësi dhe kontradikta në deklarimin e pasurisë dhe për mangësi profesionale.
Rasti nxjerr në pah një skemë të rrezikshme ku drejtësia bëhet me pagesë dhe masat e sigurisë janë produkt i ryshfeteve, jo i ligjit. Tani, të dy ish-prokurorët do të përballen me drejtësinë në GJKKO, por besimi i publikut te sistemi ka marrë një tjetër goditje të rëndë.
Lini një Përgjigje