
Prokuroria e Sarandës ka dërguar në gjyq tre persona në lidhje me rrëmbimin në vitin 2023 të Leonard Theodhorit, i cili njihej si “Koçolja” dhe Fatmir Sulovarit (Krasniqit).
Në gjyq janë dërguar shtetasit me iniciale A.M., S.B., dhe S.L, ndaj të cilëve rëndojnë akuzat pwr tre vepra penale: rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit, deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore si edhe trafikimi i mjeteve motorike.
Çështja për këta tre persona është e ndarë me ngjarjen e rrëmbimit. Më konkretisht A. M akuzohet për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”; S. B “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe S. L për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Ndërkohë, vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.
Leonard Theodhori dhe Fatmir Sulovari, të dy të njohur për policinë për shkak të precedentëve penalë, u denoncuan të zhdukur nga familjarët në prill të vitit 2023 dhe pavarësisht kërkimeve të bëra, autoritetet ende nuk kanë gjetur trupat e tyre.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria Sarandë dërgon në gjyq tre persona për tre vepra penale në lidhje me rrëmbimin e shtetasve L.Th. dhe F.S. në vitin 2023.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit A.M., S.B., dhe S.L. për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike” parashikuar nga nenet 109/3, 305/b dhe 141/a/2 të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.169/2023 dhe 369/2025 (ndarë nga procedimi penal nr.169/2023) në lidhje me ngjarjes e rrëmbimit të shtetasve L.Th. dhe F. S., dërgohet për gjykim çështja penale në ngarkim të të pandehurve si më poshtë:
1. A. M, i dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” parashikuar në nenin 109/3 dhe 25 të K.Penal;
2. S. B, i dyshuar për veprën penale “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga neni 305/b i K.Penal; dhe
3. S. L, dyshuar për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike” parashikuar nga neni 141/a/2 i K.Penal.
Nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë po vijojnë hetimet për gjetjen e shtetasve të rrëmbyer dhe identifikimin e personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.
Lini një Përgjigje