I dënuar me 20 vite burg për grabitjen e 4.6 mln eurove në Rinas, Klement Çala futet në regjimin “41 Biss”.
Drejtoria e përgjithshme e burgjeve ka futur në “41 Biss” Klement Çalën. Mbyllja në regjimin e ashpër e Çalës u krye me urdhër të ministrit të drejtësisë dhe me kërkesë të SPAK.
Klement Çala është dënuar me 20 vite burg nga Gjykata e Posaçme në korrik të vitit 2023 si një nga autorët e grabitjes së Rinasit. Mbi të rëndon akuza e pjesëmarrjes në grabitjen e 4.6 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit në prill të vitit 2019 në bashkëpunim me një grup të strukturuar kriminal ku bënte pjesë edhe Admir Murataj.
Klement Çala u arrestua më 19 mars, vetëm 1 vit pas ngjarjes. Për kapjen e Klement Çalës policia vuri 10 mijë euro shpërblim për këdo që jepte informacion për të. Grupit iu sekuestrua pasuria, apartamente dhe trualle.
Ka shkuar në nëntë numri i të burgosurve në regjimin e ashpër që gjendet në burgun e sigurisë së Lartë në Peqin.
Kujtojmë se grabitja ndodhi në 9 prill të vitit 2019, ku në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje, Admir Murataj.

Lini një Përgjigje