I penduari i drejtësisë, Henrik Hoxhaj, dëshmoi sot në sallën e gjyqit për planifikimin e një atentati ndaj Besmir Haxhisë dhe për përfshirjen e emrave të tjerë të botës së krimit. Ai deklaroi se planin e kishte hartuar bashkë me Nuredin Dumanin.
Hoxhaj tha se me Dumanin kishin diskutuar edhe për Altin Ndocin. Sipas tij, Dumani pretendonte se këta persona po përpiqeshin t’i atribuonin atij ngjarje kriminale. Gjatë periudhës së pandemisë, Tirana ishte bosh dhe, sipas Hoxhajt, Ndoci qëndronte në zonën e Misto Mames, ku binte lehtësisht në sy.
Sipas dëshmisë, ata vendosën të vrisnin një nga vëllezërit Haxhia me qëllim që Altin Ndoci të merrte pjesë në varrim dhe më pas ta ekzekutonin. Dumani, sipas Hoxhajt, i konsideronte të gjithë këta persona të lidhur me Talo Çelën. Objektivi kryesor ishte Besmir Haxhia. Hoxhaj deklaroi se kishte marrë edhe fotografi të shënjestrës. Ai shtoi se kishte qëndruar dy ditë në banesën e Dumanit dhe se shofer ishte Klevis Alla.
Hoxhaj deklaroi se Besmir Haxhia kishte disa automjete me qira dhe administronte një agjenci turistike. Për atentatin, sipas tij, u siguruan tre kallashnikovë dhe një armë e shkurtër. Ai dhe Dumani do të kryenin ekzekutimin. Fillimisht, sipas dëshmisë, ishte menduar që vrasja të ndodhte në një pikë bastesh, por Hoxhaj kundërshtoi për shkak të rrezikut për persona të pafajshëm.
Më pas, grupi u nis me një automjet tip “Toyota” me portobagazh. Hoxhaj deklaroi se mbante një kallashnikov dhe një armë të shkurtër. Ai shtoi se ishin të veshur me uniforma të ngjashme me ato të OFL-së dhe përdornin maska silikoni. Ngjarja ndodhi në zonën e Shënavlashit. Sipas tij, pasi panë se Besmir Haxhia po lëvizte me vëllanë, vendosën ta ndiqnin. Kur automjeti i shënjestrës u bllokua në trafik, autorët iu afruan nga një rrugë dytësore dhe hapën zjarr.
Hoxhaj deklaroi se ai dhe Dumani qëlluan me armë. Dumani zbriti nga makina, por armët iu bllokuan. Më pas zbriti Hoxhaj dhe qëlloi disa herë, duke goditur drejtuesin e mjetit.
Pas atentatit, sipas dëshmisë, autorët u larguan drejt Tiranës. Hoxhaj tha se kapuçët i hodhën në Vorë, ndërsa armët i lanë në automjet, të cilin e mori shoferi. Ai deklaroi se për këtë ngjarje kishte marrë 35 mijë euro. Hoxhaj theksoi se nuk kishte pasur komunikim të drejtpërdrejtë me personin e njohur si Krymi.
Pas arrestimit të Klevis Allës, Hoxhaj tha se kishte shprehur shqetësim te Dumani, por ky i fundit e kishte siguruar të mos shqetësohej. Sipas Hoxhajt, Klevis Alla ka deklaruar më pas se pas ngjarjes qëndronin Altin Ndoci dhe Talo Çela, një pretendim që, sipas tij, e kishte habitur.
Pjesë nga dëshmia:
Më vonë kemi folur për Altin Ndocin. Arsyeja ishte se Nuredini thoshte se këta donin t’ia ngarkonin atij ngjarjet e tyre. Ishte kohë Covid-i. Tirana ishte bosh. Ndoci e kishte shtëpinë në Misto Mame, por aty binte në sy dhe nuk e gjeje dot. Atëherë u vendos të vritej një nga vëllezërit Haxhia, që ai të vinte në varrim dhe më pas të ekzekutohej. Sipas Nuredinit, këta ishin të gjithë bashkë me Talo Çelën. Objektivi ishte Besmir Haxhia. Do ishte edhe Nuredini. Më duket se ma ka sjellë edhe një foto. Unë isha bashkë me Nuredinin. Shofer ishte Klevis Alla. Kur kam shkuar për këtë ngjarje, kam qëndruar dy ditë në shtëpinë e Nuredinit.
Besmiri kishte disa makina me qira dhe një agjenci turistike. Për ngjarjen përdorëm tre kallashnikovë dhe një armë brezi. Ekzekutorë do ishim unë dhe Nuredini. Ai donte ta bënim te një lokal bastesh, ta thërriste aty. Unë nuk pranova. I thashë: ka shumë njerëz, do vriten njerëz kot. Më vonë u nisëm me një “Toyota” me portobagazh. Unë kisha kallashnikov në dorë dhe edhe një armë të shkurtër pranë. Veshjet i kishim si uniforma OFL. Kishim edhe maska silikoni, por unë nuk e vura. Dolëm në drekë nga shtëpia. Në Shënavlash, kur kaloi makina e tij, shoferi ynë e pa që ishte me vëllanë. I tha Nuredinit që ishte me vëllanë. “E mirë”, tha, “i vrasim”. I ndoqëm për pak. Ata ecnin shpejt. Pastaj u bllokuan në trafik. I dolëm nga anësorja dhe hapëm zjarr. Qëllova edhe unë edhe Nuredini.
Nuredini zbriti nga makina. I thashë pse del kot, se i kanë mbaruar. Nuredinit i u bllokua arma, pastaj iu bllokua edhe tjetra. Pastaj mora unë armën, zbrita dhe godita disa herë. Unë godita shoferin. Shoferi na çoi te makina e Nuredinit dhe shkuam në Tiranë. Kapuçët i hodhëm në Vorë. Armët i lamë në makinë, të cilën e mori shoferi.
35 mijë euro mora edhe për këtë. Unë nuk kisha komunikim me Krymin. Kur mora vesh që ishte arrestuar Klevis Alla, i thashë Nuredinit: “Çfarë bën, na more në qafë.” Nuredini tha: “Mos u shqetëso.”. Kur është kapur ai, ka thënë që Altin Ndoci dhe Talo Çela kanë qenë mbrapa. Unë u habita dhe thashë: “Çfarë thotë ky?”.
Lini një Përgjigje