TAGS-AT E JAVËS

Kronike 3 Shkurt 2026, 08:04

“Policia, mos lëvizni”, si u sulmua nga 7 persona berberhania në Lezhë; shënjestra dhe polici reaguan me armë

Shkruar nga Pamfleti
“Policia, mos lëvizni”, si u sulmua nga 7 persona berberhania
Pamje nga vendi i atentatit në Lezhë

“Mos lëvizni, policia”, ishte thirrja që grupi i agresorëve, sipas grupit hetimor, i kanë drejtuar personave që ndodheshin në berberhane...

Të tjera detaje janë zbuluar nga atentati i mbrëmjes së të dielës, ku është qëlluar me breshëri automatike në drejtim të një berberhane në qendër të Rrilës në Lezhë, ndërsa mbeti i plagosur Sokol Daci, pronari i biznesit.

Nga hetimet e policisë ka rezultuar se Daci nuk ishte objektiv i atentatorëve, ndërsa dyshohet se në objektiv të tyre ishte Merando Nikulaj, i afërt i biznesmenit të ndjerë, Ardian Nikulaj, që u ekzekutua në një atentat rreth 3 vite më parë. Gjithashtu sipas raportimeve në ambientin ku ndodhi përplasja dyshohet se ka qenë edhe djali i Ardian Nikulajt.

Sipas raportimeve, grupi i personave të dyshuar që morën pjesë në këtë atentat përbëhej nga 7 vetë, të gjithë të maskuar me kapuçë-maska. Nga dëshmitë e mbledhura nga grupi hetimor, rezulton se 5 nga agresorët ishin të armatosur me armë zjarri, ndërsa dy mbanin në duar shkopa bejsbolli. Mësohet se ata kanë hyrë në berberhane duke u prezantuar si policë dhe kishin si synim dhunimin e Merando Nikulajt.

“Mos lëvizni, policia”, ishte thirrja që grupi i agresorëve, sipas grupit hetimor, i kanë drejtuar personave që ndodheshin në berberhane. Ky ka qenë momenti i parë, ndërsa e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda pak minutash, ku si pasojë e breshërive ka mbetur i plagosur, Sokol Daci, që ka marrë 3 plumba, një në këmbë, një në bark dhe një në shpatull.

Eliso, Geraldo dhe Kevin Ndoka, tre pjesëtarë të fisit Ndoka, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia, dyshohet se ishin pjesë e grupit të agresorëve, ndërsa e gjithë ngjarja, sipas hetimeve, ka lidhje me një konflikt të vitit 2025, mes Nikulajt dhe pjesëtarëve të fisit Ndoka. Gjithashtu në kërkim është shpallur edhe Merando Nikulaj, i cili dyshohet se ka mbetur i plagosur në këmbë, por nuk është paraqitur në asnjë prej qendrave shëndetësore apo spitaleve për ndihmë mjekësore.

Nga raportimet mësohet se ndaj grupit të agresorëve është qëlluar me armë nga të paktën dy persona, polici tashmë i arrestuar Kovaçi dhe nga Merando Nikulaj. Kjo ka kapur të papërgatitur grupin e agresorëve, që duket se nuk kishin menduar një detaj të tillë.

I vetmi që është arrestuar për ngjarjen është efektivi Kovaçi, i cili ka qenë i veshur civil, ndërsa personat e tjerë të identifikuar janë shpallur në kërkim. Ai akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa dyshohet se nuk ka qenë rastësisht në vendin e ngjarjes, sikundër ka deklaruar për grupin hetimor, por shoqëronte një nga pjesëtarët e fisit Mekulaj.

Ndaj personave të shpallur në kërkim, 3 pjesëtarëve të fisit Ndoka dhe Merando Nikulajt, janë ngritur akuzat “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.

Policia ka ushtruar kontrolle jo vetëm në fshatin Rrillë, por edhe në zonat përreth, por pa mundur të kapë asnjë prej të shpallurve në kërkim, deri në mëngjesin e së martës.

Mbrëmjen e së dielës në qendër të fshatit Rrilë, ndaj një berberhane u qëllua me breshëri automatike. Fillimisht u mendua për një atentat ku shënjestra ishte i plagosuri, edhe pse ai nuk rezultonte person me precedentë apo konflikte. Me kalimin e orëve, mbledhjes së dëshmive, por edhe pamjeve nga kamerat e sigurisë, gfrupi hetimor zbuloi detaje që çuan në zbulimin e disa prej autorëve, por edhe një piste mbi atë sepse ndodhi përplasja me armë. 

Sipas hetimeve, ngjarja ka lidhje me një konflikt të mëparshëm të ndodhur në muajin mars 2025, në zonën e Kunes në Shëngjin.

Referuar raportimeve, në atë periudhë, pjesëtarë të fisit Nikulaj janë konfliktuar fillimisht verbalisht dhe më pas janë konfliktuar fizikisht me dy pjesëtarë të fisit Ndoka, të cilët po lëviznin me motoçikleta. /Pamfleti/

 

 

lezhe atentat nikulaj ndoka

Lini një Përgjigje