Kreshnik dhe Gentjana Mujeci mbetën viktima të një atentati të mirëorganizuar pasditen e së dielës në Balldren të Lezhës. Ndaj tyre u qëllua me breshëri automatiku, ndërsa viktimat humbën jetën në makinën me të cilën udhëtonin.
Policia arriti të zbulojë vrasjen brenda 24 orësh, por pa mundur të arrestojë autorët e dyshuar, sekuestrojë armët e krimit apo makinat e përdorura nga të dyshuarit në atentat.
Në kërkim janë shpallur Renato Mhillaj 23 vjeç, Adriano Mhillaj 22 vjeç dhe Florin Mhillaj 36 vjeç. Ata janë lidhje e afërt e Genc Mhillajt, i ekzekutuar në vitin 2016, dhe për të cilin fillimisht u dyshua si i përfshirë në vrasje Kreshnik Mujeci. Ky i fundit, bashkë me dy persona të tjerë, u arrestuan në atë kohë për vrasjen e Genc Mhillajt, por më pas Kreshnik Mujeci u shpall i pafajshëm.
Dhe pavarësisht vendimit të Gjykatës, duket se familja Mhillaj nuk e harroi ekzekutimin e Genc Mhillajt. Dhjetë vjet pas vrasjes së tij, Renato Mhillaj djali i Genc Mhillajt, bashkë me dy kushërinjtë e tij, Adriano dhe Florin Mhillaj, kanë kryer hakmarrjen duke vrarë të dyshuarin për vrasjen e ndodhur në 2016-ën.
Si ndodhi vrasja e Genc Mhillaj në 6 tetor të 2016?
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth ores 11. 00 të datës 6 tetor 2016, pranë fshatit Mali i Jushit. Genc Mhillaj (Pjetri) 42 vjec nga Torovica është qëlluar me armë zjarri e për pasojë ka humbur jetën.
Viktima Genc Mhillaj, 42 vjeç ka qenë duke drejtuar automjetin tip kamionçinë me targa AA 609 IV, i cili ka qenë ngarkuar me miell dhe misër. Viktima ka qenë duke ecur në rrugë, ndërsa Mujeci e ka ndalur dhe e ka thirrur për të biseduar. Në atë kohë për vrasjen u akuzua Jozef dhe Kreshnik Mujeci.
Pranë urës së Malit të Jushit ata janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe në sherr e sipër Mhillaj ka tentuar të largohet me vrap, po autori e ka ndjekur dhe ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tij. Për pasojë viktima është rrëzuar në fushë.
42- vjeçari Genc Mhillaj ka ndërruar jetë menjëherë, pasi plumbi e ka goditur në ballë. Nga ana tjetër autori është larguar me shpejtësi në drejtim të Torovicës.
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër e ka shpallur të pafajshëm Jozef dhe Kreshnik Mujecin për vrasjen e Genc Mhillaj, vendim i dhënë më 27 nëntor 2018. Më pas, Gjykata e Apelit Shkodër më 6 nëntor 2019 ka vendosur të mos pranojë ankimin e prokurorisë për vendimin e Shkallës së Parë. Ndërsa, Gjykata e Lartë e ka kthyer për gjykim më 31 tetor 2024.
Lini një Përgjigje