TAGS-AT E JAVËS

Kronike27 Prill 2026, 11:41

Vrasja e dyfishtë në Lezhë, Policia shpall në kërkim 3 persona: Krimi i kryer për hakmarrje, kush janë autorët

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e dyfishtë në Lezhë, Policia shpall në kërkim 3
Drejtuesit e Policisë së Lezhës

Në krimin e dyfishtë dyshohet se janë përfshirë dy makina, njëra që ka pasur rolin e ndjekjes, ndërsa nga makina tjetër është qëlluar me breshëri ndaj automjetit që drejtohej nga Kreshnik Mujeci

Policia e Shtetit pretendon se ka zbardhur vrasjen e dyfishtë të ndodhur pasditen e së dielës në Balldren të Lezhës. Viktima të atentatit mbetën Kreshnik dhe Gentjana Mujeci (burrë e grua)

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Drejtues Arben Nasufi, në një konferencë për mediat tha se krimi ka ndodhur për motive hakmarrje/gjakmarrje, por policia ende nuk ka mundur të arrestojë autorët e dyshuar.

Nasufi tha se është identifikuar një nga mjetet që është përfshirë në krim. Bëhet fjalë për automjetin Audi A4, që ka ndjekur nga pas viktimat, që udhëtonin me automjetin e tyre.

Policia ka shpallur në kërkim 3 persona të moshës 22, 23 dhe 36 vjeç, ndërsa ka ushtruar kontrolle në banesat e tyre apo në zonën ku mendohet se ata mund të jenë strehuar, por pa mundur që t’i vendosë në pranga. Bëhet fjalë për Adriano, Florin dhe Renato Mhillaj.

"Hetimet kanë vijuar me këqyrjen dhe administrimin e të gjitha pamjeve filmike mbi intinerarin e lëvizjeve të viktimave dhe autorëve, analizimin e çdo prove materiale dhe si rezultat është identifikuar njëri prej automjeteve të përdorura nga autorët, i markës “Audi A4”.

Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, analizimit të çdo prove që lidhej me ngjarjen, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar, konkretisht i shtetasve: A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë", njoftoi Policia.

Gjithsesi, deri më tani policia nuk ka mundur të gjejë dhe sekuestrojë automjetet dhe armët e zjarrit që janë përdorur për të kryer vrasjen.

Në krimin e dyfishtë dyshohet se janë përfshirë dy makina, njëra që ka pasur rolin e ndjekjes, ndërsa nga makina tjetër është qëlluar me breshëri ndaj automjetit që drejtohej nga Kreshnik Mujeci. Ky i fundit, rreth 9 vite më parë është dyshuar si i përfshirë në një vrasje. Kreshnik Mujeci është dyshuar në 2016 si i përfshirë në vrasjen e Genc Mhillit. Në atë kohë Kreshnik Mujeci është arrestuar bashkë me një kushëririn e tij lidhur me vrasjen e Mhillit, por më pas ka fituar pafajësinë. Duket se kjo është arsyeja që Policia e Lezhës, ka konkluduar se vrasja e tij dhe e bashkëshortes, është kryer për motive hakmarrje/gjakmarrje, ndërsa janë shpallur në kërkim djali dhe nipat e Genc Mhillajt. 

Deklarata e plotë e Policisë

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Drejtues Arben Nasufi, konferencë në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në fshatin Balldren, më datë 26.04.2026.

Më datë 26.04.2026, rreth orës 14:50, në rrugën “Balldren-Torovicë”, nga shtetas të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi Kreshnik Mujeci.
Me marrjen e njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe ato të emergjencës.

Për të hetuar dhe zbardhur ngjarjen, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda të DVP Lezhë, Departamentit të Policisë Kriminale, si dhe ekspertët më të mirë kriminalistë, të cilët në drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar intensivisht veprimet hetimore në vendin e ngjarjes dhe një sërë veprimesh të tjera me metoda proaktive, në funksion të zbardhjes dhe dokumentimit të plotë ligjor të saj.

Hetimet kanë vijuar me këqyrjen dhe administrimin e të gjitha pamjeve filmike mbi intinerarin e lëvizjeve të viktimave dhe autorëve, analizimin e çdo prove materiale dhe si rezultat është identifikuar njëri prej automjeteve të përdorura nga autorët, i markës “Audi A4”.

Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, analizimit të çdo prove që lidhej me ngjarjen, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar, konkretisht i shtetasve:
-A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë.

Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volkswagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye hakmarrjeje.
Hetimet vazhdojnë në mënyre intensive, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Përsa i përket autorëve, pas identifikimit të tyre, nga ana e strukturave policore janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera, por nuk është bërë e mundur gjetja e tyre. Këta shtetas janë shpallur në kërkim.

Operacioni vijon në terren, ku janë përshirë Forcat Speciale “RENEA”, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me qëllim lokalizmin dhe kapjen e tyre.

Gjithashtu, vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve dhe të armëve të zjarrit që janë përdorur për të kryer vrasjen.

vrasja lezhe policia

1 Komente

  1. T
    Tarrasi

    shteti numeron dhe mbledh kufomat, te tjerat i le t'i zgjidhin vet.

    Lini një Përgjigje