
Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet se ka vjedhur 8160 euro si dhe sende me vlerë.
23-vjeçari Erni Ndoj arriti të vidhte shumën prej 8 mijë eurosh dhe sendeve të tjera me vlerë duke përdorur një kartë banke për të hapur derën e të afërmit të tij në zonën e Kombinatit.
Zakonisht, hyrja brenda në këtë formë bëhet tek dyert që mbyllen nga jashtë dhe për t’u hapur duhet një çelës në gjendje normale, por hajdutët, duke sofistikuar praktikën arrijnë të depërtojnë brenda në banesa.
Rasti i kapur nga Komisariati nr. 6 i përket një të riu, i cili ka pasur informacion të detajuar se brenda në apartament ka para, ka ruajtur pronarët derisa kanë dalë jashtë në orët e mbrëmjes së të martës dhe ka hyrë për të vjedhur.
Paratë i riu i ka gjetur të ndarë në zarfe të ndryshme, siç vetë pronarët i kanë lënë, për të kryer pagesa të ndryshme nga një sipërmarrje e vogël që kanë në zotërim. Në momentin që është arrestuar, paratë i janë gjetur të plota, të tubuara në një vend të vetëm.
Fillimisht pronarët e banesës nuk kanë pasur asnjë dijeni se ai mund të ishte autori, por policia i këshilloi të përhapnin fjalë gjithandej nëpër miqësitë e tyre që janë përftuar profile ADN dhe autori është identifikuar. 23-vjeçari me origjinë nga Rrësheni, i frikësuar, ka telefonuar një tjetër të afërm të familjes, i cili më pas njoftoi policinë.
"Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar "Home". Vodhi në një banesë, një shumë parash dhe sende me vlerë, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari. Sekuestrohen shuma 8160 euro dhe sendet me vlerë (aksesorë floriri), që u gjetën në banesën e 23-vjeçarit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, pas kallëzimit të marrë nga një 26-vjeçar, se i kishin vjedhur një shumë parash dhe sende me vlerë, në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Home". Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi i shtetasit E. N., 23 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se më datë 10.10.2023, ka vjedhur në një banesë në Unazën e Re, rreth 8000 euro dhe sende me vlerë. Gjatë kontrollit në banesën e 23-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan shumën e parave dhe sendet me vlerë, që ky shtetas ka vjedhur në banesën e 26-vjeçarit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme", thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje