TAGS-AT E JAVËS

Kronike12 Tetor 2023, 13:48

Masakra e Lushnjës, shtyhet seanca për Laert Haxhiun në GJKKO; avokati refuzon mbrojtjen

Shkruar nga Pamfleti
Masakra e Lushnjës, shtyhet seanca për Laert Haxhiun në GJKKO;
Laert Haxhiu

Në seancë pati debate mes palëve pasi Laert Haxhiu ka refuzuar që të marrë dijeni për seancën e sotme nëpërmjet oficerit të kontaktit.

Seanca e sotme e planifikuar për Laert Haxhiun është shtyrë. Mësohet se shkak ishte mosthirrja e dëshmitarit të fundit, Arsen Gjuta për të marrë pjesë në seancën gjyqësore.

E pranishme në gjyq ishte edhe prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu, e cila ishte “pikasur” nga autori i masakrës së Lushnjës për tu vrarë.

Në seancë pati debate mes palëve pasi Laert Haxhiu ka refuzuar që të marrë dijeni për seancën e sotme nëpërmjet oficerit të kontaktit.

Fillimisht ka pretenduar se është i sëmurë me COVID më pas ka refuzuar takimin me agjentin. 

Avokati Detar Hysi refuzoi që të vijonte mbrojtjen pasi pretendon se është i zgjedhur nga familjarët dhe jo nga vet Laert Haxhiu. Avokati tha se nuk mund të mbrojë një person i cili nuk i ka dhënë tagrin sepse tashme sipas tij kanë ndryshuar kushtet ligjore duke qenë se Laert Haxhiu ka një adresë dhe duhet të vendos vet për avokatin.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Erjon Çela vendosi që të mos e pranojë kërkesën e avokatit, pasi togat e zeza bënë me dije se gjykimi do vazhdojë në mungese pasi nuk mund të presin pambarimisht Laert Haxhiu, i cili refuzon që të marrë dijeni për procesin në vendin tonë. Seanca e radhës u caktua në 19 tetor ora 14:30.

Haxhiu po gjykohet në Shqipëri për masakrën e Lushnjës në vitin 2017, ngjarje për të cilën më herët janë dënuar me burgim të përjetshëm bashkëpunëtoret e tij Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi. Laert Haxhiu ndodhet i arrestuar në Greqi ku ka kërkuar azil ndërsa Shqipëria kërkon ekstradimin e tij.

Së fundi ai u ekspozua nga dëshmia e Artan Tafanit lidhur me disa ngjarje të rënda kriminale të viteve të fundit, ku sipas tij planifikonte të kryente atentate ndaj 2 prokurorëve dhe një avokati.

Dinamika e ngjarjeve: 

Sipas dinamikës së ngjarjeve, hakmarrja thuhet se nis zanafillën pasi banda e Aldo Bares, dogji shtëpinë e Shkëlqim Haxhiut, xhaxhait të Laert Haxhiut, por hakmarrja e bandës së Aldo Bares ndaj fisit Haxhiu nuk do të ndalej këtu.

Në janar të vitit 2005, anëtarë të kësaj bande vrasin Klodian Haxhiun, djalin e Shkëlqimit, xhaxhait të Laert Haxhiut. Do të ishte kjo vrasje, nisja e një revanshi të përgjakshëm tashmë nga Laert Haxhiu, ku në qendër të breshërive të plumbave tanimë do të ishin anëtarë të bandës së Aldo Bares. I pari që do të ekzekutohej do të ishte Gerti Lala, anëtar i bandës së Lushnjës, që mbante pseudonimin “Iriqi”, i cili u ekzekutua më 8.07.2010, ku të arrestuar në lidhje me këtë krim, ishin Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili, të cilët më pas u shpallën të pafajshëm dhe u liruan nga Gjykata e Rrethit Vlorë

Por ky do të ishte vetëm fillimi i një serie të gjatë dhe tragjike të aksioneve që Laert Haxhiu dhe grupi i tij do të ndërmerrnin ndaj anëtarëve të bandës së Aldo Bares.

Ajo që do të cilësohej si kapitulli më i përgjakshëm i gjithë kësaj dhune të pambarimtë gjaku, do të ishte “Masakra e Lushnjës”, ndodhur më 11 Tetor 2017, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Përroit”, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, si edhe u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe një kalimtar i rastit, por ku objektivi i vërtetë i atentatit, ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, i cili, edhe më herët në vitin 2016 i kishte shpëtuar një tjetër atentati, ku thuhet se organizatori ishte i njëjti emër, Laert Haxhiu.

Masakra e Lushnjës:

Sipas pamjeve filmike në mjetin me targa AA 726 PC kanë qenë gjithsej 3 persona, dy që kanë gjuajtur dhe i treti që ka drejtuar mjetin. Në orën 18:06 vihet re që mjeti i cili bën manovrën e parkimit nuk parkon, por niset me shpejtësi në drejtim të vendit të ngjarjes. Në momentin që mjeti shfaqet që të ndalojë, shihet që shtetasi Zamir Latifi rrëzohet në tokë dhe mbi të kalon një person që gjuan me breshëri mbi të. Nga pamjet filmike dallohet që nga mjeti zbret vetëm drejtuesi i saj, i cili është një person i gjatë dhe i dobët, ndërsa dy personat e tjerë rezultojnë që të kenë zbritur më parë.

Pas këtij momenti shihet që personi që qëlloi mbi Zamir Latifin kalon përpara mjetit dhe hipën në sediljen e parë të pasagjerit, ndërsa personi i dytë vjen nga pas mjetit dhe hipën në anën e pasme pas shoferit. Nga këqyrja e kësaj kamere ka rezultuar se para dhe pas mjetit të autorëve me shpejtësi largohen edhe dy mjete të tjera të cilat kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe pikërisht një ‘Benz C Class’ gri dhe një ‘Ford Focus’ i bardhë dhe me logo jeshile. Duke parë që mjetet shkojnë me shpejtësi para dhe pas mjetit të autorëve lindin dyshime se këto dy mjete kanë luajtur rolin e ndihmësve të autorëve.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, tre persona të cilët qëlluan pa mëshirë në drejtim të lokalit ku ndodheshin shënjestrat e tyre, ishin Laert Haxhiu, Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili.

Sajmo Xhelili, që mrekullisht i shpëtoi këtij atentati, tregoi për hetuesit se ai dhe miqtë e tij kishin rënë edhe në vitin 2016 pre e një atentati të organizuar nga Laert Haxhiu, ku ai vetë dhe Xhulio Shkurti kishin mbetur të plagosur.

Ndërsa Zamir Latifi edhe pse shpëtoi pa lëndime në atentatin e parë, plumbat nuk i kursyen jetën në atentatin e dytë.

masakra e lushnjës laert haxhiu

Lini një Përgjigje