Franc Gergely Çopja bashkë me tetë të tjerë kanë dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda të Brukselit, ku do të gjykohen për vrasjen e Ardit Spahiut, i cili u qëllua për vdekje në mes të ditës në Sint-Jans-Molenbeek.
Media belge "Le Soir" shkruan se “Çopja” njihet shumë përtej këtyre mureve. Ai i përket një klani të drejtuar nga dy vëllezër, i cili vetëm në vitin 2020 ka importuar më shumë se 28 ton kokainë në Europë nga Amerika Latine.
Sot, Franc Gergely po gjykohet si porositësi kryesor i vrasjes së Ardit Spahiut, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Mikael Qosja, është ende në arrati. Në kohën e ngjarjeve, të dy jetonin në Dubai, duke përdorur identitete të shumta për të menaxhuar aktivitetet e tyre larg vëmendjes së autoriteteve. Klani i tyre kishte investuar masivisht në pasuri të paluajtshme në Tiranë dhe Elbasan, duke blerë apartamente, ndërtesa, bare e restorante, me synimin për të pastruar paratë dhe për t’u paraqitur si investitorë të domosdoshëm për zhvillimin rajonal.
Në sallën e gjyqit, një i akuzuar tërheq të gjithë vëmendjen, Franc Gergely, i njohur si “Çopja”, rreth të tridhjetave. Përballë jurisë, gjashtë gra dhe gjashtë burra, ai deklaron identitetin e tij, në mënyrë të ashpër, sikur të donte ta fshinte momentin me një lëvizje dore: “Jam shqiptar dhe agjent imobiliar.” “Çopja” lidhet me një klan të drejtuar nga dy vëllezër, të cilët vetëm gjatë vitit 2020 kanë importuar më shumë se 28 tonë kokainë në Evropë nga Amerika Latine.
Presidentja e Gjykatës së Krimeve të Rënda të Brukselit, Isabelle De Saedeleer, ka vendosur as ndarje e çështjes, as shtyrje e procesit.
Gjyqi do të zhvillohet sipas planit. Janë nëntë persona që gjykohen për një nga narko-vrasjet e para në Belgjikë me përmasa ndërkombëtare, por vetëm pesë prej tyre janë fizikisht të pranishëm në bankën e të akuzuarve, në sallën e madhe të drejtësisë “Justitia” në Bruksel.
Endrit Sadedini mungon.
“Klienti im është plotësisht i pamundur të jetë i pranishëm në Bruksel, pasi ndodhet i paraburgosur në Shqipëri që nga 19 shkurti”, deklaroi avokati Michel Bouchat para gjykatës. Ai kërkoi që dosja e klientit të ndahej nga të tjerat dhe të shqyrtohej më vonë, duke përmendur forcë madhore.
Disa avokatë të tjerë kërkuan gjithashtu shtyrjen e procesit, duke argumentuar se prania e tij është thelbësore për garantimin e të drejtave të mbrojtjes. Pas disa orësh diskutimi, presidentja e gjykatës njoftoi se kërkesa për ndarje u refuzua, ashtu si edhe ajo për shtyrjen e procesit. Gjyqi do të vazhdojë sipas planit.
Endrit Sadedini u dënua më 2 dhjetor nga një gjykatë e shkallës së parë në Shqipëri me tre vjet e katër muaj burg për mbajtje arme zjarri.
Në Belgjikë, prokuroria federale e dyshon atë si njërin nga tre ekzekutorët e kësaj vrasjeje që ka tërhequr vëmendje të madhe.
Spahiu u qëllua me armë zjarri në një atentat më 27 nëntor 2020, ndërsa ndodhej si pasagjer në një automjet. Ai arriti të largohej fillimisht, por u ndoq në këmbë nga dy persona të maskuar, të cilët e ekzekutuan. Hetimi për vrasjen e Spahiut mori hov pas dekriptimit të platformës SKY ECC. Në fund u identifikuan nëntë të dyshuar, përfshirë Franc Gergelyn, figurë kyçe e klanit Çopja.
Sipas policisë federale, ai dhe vëllezërit e tij vepronin nga Dubai dhe merreshin me trafik kokaine mes Amerikës së Jugut dhe Evropës.
Ardit Spahiu nuk ishte i panjohur për botën e krimit. Ai ishte i përfshirë në trafikun e drogës dhe në vitin 2010 u arrestua nën dyshimin për përfshirje në një vrasje në qytetin e tij të lindjes, Elbasan. Spahiu i përkiste klanit Alibej, i cili prej vitesh ishte në konflikt me klanin rival Çopja.
Pas vjedhjes së 49 kilogramëve kokainë nga një apartament i klanit Çopja në Londër, dhuna mes dy grupeve kriminale u përshkallëzua.
Dosja është e mbushur me vrasje me pagesë të kryera nga të dyja palët. Vrasja e Ardit Spahiut, i cili në vitin 2019 u arratis në Belgjikë nga frika për jetën e tij, konsiderohet si një vazhdim i konfliktit mes këtyre dy klaneve.
Franc Çopja është krimineli i parë i drogës që është ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Belgjikë. Ai ndodhet në paraburgim në Belgjikë që nga fundi i vitit 2023 dhe dyshohet se ka dhënë urdhrin për vrasjen e Ardit Spahiut.
Juria e procesit u përzgjodh të hënën. Sot procesi nisi zyrtarisht me leximin e aktakuzës, e cila përbëhet nga plot 204 faqe.
Lini një Përgjigje