
Bëmat e fisit Rraja kanë "shkrirë" komisariatin e Krujës...
Komisariati i Krujës është riorganiziuar tërësisht pas ngjarjes së datës 6 korrik ku dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja u dhunuan barbarisht nga fisi Rraja.
Mësohet se ditën e sotme janë emëruar drejtuesit e rinj të komisariatit dhe stafi prej 26 punonjës policie.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj kanë firmosur ndryshimet.
Konkretisht, është liruar nga detyra shefi i Komisariatit të Policisë Krujë Komisar Elton Shahini dhe është emëruar në këtë detyrë të Komisar Kreshnik Alimadhi.
Po kështu, është liruar nga detyra e zëvendës shefit të Komisariatit/Shef për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë Nënkomisar Ajet Bega dhe është emëruar në këtë detyrë Nënkomisar Sadik Topuzi.
Nga detyra është liruar edhe shefi i Seksionit në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Krujë nënkomisar Anri Nazaj dhe është emëruar në këtë detyrë Dashamir Ilamaj.
Njëkohësisht është caktuar me detyra edhe stafi i ri prej 26 punonjësish të policisë, të cilët janë marrë nga Komisariatet e tjera të Policisë në varësi të Drejtorisë së Policisë Tiranë, bazuar në përvojën, eksperiencën dhe integritetin e tyre. Ndërsa stafi i vjetër, pjesë të strukturave të njësisë operacionale, të strukturës së Policimit në Komunitet dhe të Patrullës së Përgjithshme, është transferuar menjëherë.
"Në vijim të masave të ndërmarra për ngjarjen e ndodhur me datë 06.07.2023, ku një ndër to ishte dhe rinovimi i personelit të niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë, si dhe për dhënien e impulseve të reja, me qëllim arritjen e rezultateve më të mira në luftën kundër krimit në përgjithësi, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe krimeve kundër jetës e pronës, janë kryer emërimet në detyrat e nivelit menaxherial të shefit të Komisariatit, zëvendësshefit të Komisariatit ai dhe shef për Hetimin e Krimeve si dhe të shefit të Seksionit të Patrullës së Përgjithshme.
Njëkohësisht janë marrë masat dhe kryer emërimi dhe caktimi në detyrë i 26 punonësve të policisë, të marrë nga Komisariatet e tjera të Policisë në varësi të DVP Tiranë, bazuar në përvojën, eksperiencën dhe integritetin e tyre.
Bazuar në Vendimin e Këshillit të Lartë të Vlerësimit të Propozimeve për Emërim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Drejtues i Parë Tonin Vocaj, kanë firmosur ndryshimet për strukturat e Komisariatit të Policisë Krujë, konkretisht:
– Lirimin nga detyra të Shefit të Komisariatit të Policisë Krujë Komisar Elton Shahini dhe emërimin në këtë detyrë të Komisar Kreshnik Alimadhi.
– Lirimin nga detyra të Zëvendësshefit të Komisariatit/Shef për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, Nënkomisar Ajet Bega dhe emërimin në këtë detyrë të Nënkomisar Sadik Topuzi,
– Lirimin nga detyra të Shefit të Seksionit në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Krujë nënkomisar Anri Nazaj dhe emërimin në këtë detyrë të Nënkomisar Dashamir Ilamaj
– Transferimin e menjëhershëm të 26 punonjësve të Policisë të nivelit zbatues, pjesë të strukturave të njësisë operacionale, të strukturës së Policimit në Komunitet dhe të Patrullës së Përgjithshme.
Ndryshimet e fundit, nuk erdhën vetëm si pasojë e ngjarjes së datës 06.07.2023, por dhe si rrjedhojë e një analize të gjerë të punës të bërë për 6-mujorin e parë të vitit 2023, bazuar në statistikat e kriminalitetit dhe problematikave të tjera të rendit e sigurisë, ku një numër personash me precedent kriminal, banorë të juridiksionit territorial që mbulon Komisariati i Policisë Krujë, janë përfshirë në ngjarje të ndryshme kriminale me impakt tek qytetarët.
Me qëllim forcimin e rendit dhe sigurisë në këtë territor, bazuar dhe në hartën e re gjyqësore dhe organizimit të sistemit të Prokurorisë së Përgjithshme është bërë dhe riorganizmi i strukturave për ti paraprirë një qasjeje të re të kontrollit të territorit, të evidentimit dhe goditjes së aktiviteteve kriminale si dhe për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në këtë territor.
Nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë duke qenë përgjegjëse për çështjet e rendit dhe sigurisë, janë komanduar në Komisariatin e Policisë Krujë një trupë policore e repartit special Shqiponja dhe Shigjeta, me qëllim kontrollin më të mirë të territorit dhe për një reagim më të shpejtë në rast problematikash.", thuhet në njoftim.
Kujtojmë se më 6 korrik dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja u dhunuan barbarisht nga fisi Rraja në një lokal në Thumanë pasi ishin ankuar se guroret në pronësi të vëllezërve të ish deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja ju kishin dëmtuar shtëpitë. Bilbil dhe Jashar Maja, ishin ulur në ambientet e bar Fregen në Thumanë me qëllim për të biseduar me inxhinierin e gurores që të përdoreshin sasi më të vogla eksplozivi sepse nga shpërthimet e pakontrolluara po u dëmtoheshin banesat.
Pas publikimit të videos ku shihej dhuna shtazarake e Rrajave, policia u vu në lëvizje duke shpallur në kërkim agresorët e fisit Rraja ndërsa arrestoi vetëm 4 prej tyre. Në kërkim u shpallën Rexhep Rraja, djali i ish deputetit të PS, dhe dy vëllezërit e tij Xhelal dhe Flamur Rraja si dhe kushëriri i cili ishte pronari i gurores.
Në prononcimet e tyre për mediat, dy kushërinjtë Jashar dhe Bilbil Maja kanë deklaruar se nëse shteti nuk vepron ata do të bëjnë vetëgjygjësi. Sakaq, ata kanë bërë publike edhe mesazhet kërcënuese që kanë marrë nga fisi Rraja.
Lini një Përgjigje