
Dritan Rexhepi i ekstraduar nga Turqia dhe i njohur ndërkombëtarisht si “mbreti i kokainës” u shoqërua nën masa të forta sigurie gjatë ditës së sotme në Gjykatën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku është përballur me dy seanca.
Në seancën e parë të zhvilluar me dyer të mbyllura, GJKKO ka verifikuar masën e sigurisë “arrest në burg”, e cila ishte vendosur në mungesë ndaj Rexhepit.
Dhe pasi u verifikua masa e sigurisë, Rexhepi u përball me seancën e dytë, e cila ishte publike dhe ka të bëjë me gjykimin për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur 4 vite më parë, ku dyshohet se krimi u porosit në atë kohë nga arratia nga i pandehuri,
Në këtë proces me shtatë të pandehur, Rexhepi është i vetmi i arrestuar, pasi të tjerë janë në kërkim dhe po gjykohen në mungesë.
Në sallën e gjyqit, i akuzuari si kreu i një karteli shqiptar të trafikut të tonelatave të kokainës nga Amerika Latine në Europë u shfaq me të njëjtin xhup të zi dhe xhinse me të cilat mbërriti në Rinas të mërkurën.
Para gjykatës Rexhepi konfirmoi gjenaralitetet dhe nuk shfaqi asnjë kundërshti mbi përbërjen e treshes gjykuese.
“Jam shumë dakord”, tha ai teksa u pyet për të.
Më pas seanca u ndërpre për shkak të mungesës së avokatit të njërit prej të pandehurve dhe u shty për më 24 janar.
Dritan Rexhepi, i njohur edhe me emrin Gramoz, u ekstradua në Shqipëri pas më shumë se një viti nga arrestimi i tij në Stamboll, Turqi, vend ku ishte arratisur pasi lehtësoi një dënim me burg të marrë në Ekuador.
Përveç procesit aktual në Gjykatën e Posaçme, mbi shpatullat e tij rëndon një dënim fajësie me 25 vite burg për një vrasje të kryer në vitin 1998 dhe një dënim me 4 vjet burg për “falsifikim dokumentesh”, për marrjen e një pasaporte biometrike me identitet tjetër, teksa kërkohej nga drejtësia.
Po ashtu, në vitin 2010 ai është dënuar me 16 vjet burg në Itali, ku u arratis, duke lënë pa vuajtur 13 vjet e 6 muaj dënim.
Lini një Përgjigje