
Pak ditë pas arrestimit të dy vëllezërve që u prangosen si persona të dyshuar për vrasjen e 33-vjeçarit Ramazan Mataj, familja e Arjol dhe Klisman Hasaj është ngujuar nga frika për një hakmarrje të mundshme.
Ndërkohë ditën e sotme, Arjol dhe Klisman Hasaj janë lënë në burg nga Gjykata e Shkodrës. Edhe pse avokatët kanë kërkuar një masë më të butë për vëllain e vogël, Klisman Hasaj me argumentin se nuk ka pasur dijeni për ngjarjen, gjykata vendosi sërish burg pa afat për të dy të dyshuarit.
Në seancë ata kanë kyçur gojën para trupit gjykues, ndërsa prokurorja e çështjes theksoi se prova që vërteton se vrasjen e kanë kryer dy vëllezërit është rezultati balistik i armës së gjetur në oborrin e banesës së familjes Hasaj.
Kjo provë, e cila përkon 100% me plumbat dhe gëzhojat e gjetura në vendngjarje, konfirmon se autorët të mundshëm janë dy vëllezërit e arrestuar.
Lidhur me krimin e rëndë, pas vrasjes së Ramazanit, autori i shkoi edhe në ceremoninë e varrimit për të hequr dyshimet se mund të ishte ai autori. Kujtojmë se ngjarja ka ngjallur frikë mes dy familjeve në fshatin Dragoç, ndërsa babai i autorit ka theksuar se nëse djali i tij shpallet fajtor, të vuajë dënimin që meriton.
29-vjeçari Arjol Hasaj deklaroi se vrau 33-vjeçarin për të mbrojtur nderin e familjes, pasi viktima kishte krijuar një lidhje jashtëmartesore me motrën e autorit. Fakti se Ramazani kishte përhapur fjalë dhe video intime të motrës së autorit, nxiti këtë të fundit të ndërmerrte aktin e rëndë.
Lini një Përgjigje