
Zbardhen detaje të reja nga operacioni i koduar “Metalurgjiku”, finalizuar nga Policia e Elbasanit pas një hetimi disa mujor mbi një skemë të gjerë kriminale në fushën e mjedisit. Dy kompani private, “CCALB” Shpk dhe “GSA Ferrokrom” Shpk, dyshohet se për afro dy vite kanë djegur në mënyrë të paligjshme mbetje në ambient të hapur, duke shkaktuar ndotje masive të ajrit dhe ujërave në zonën e ish-metalurgjikut, në Bradashesh.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, djegia e mbetjeve bëhej brenda rrethimit të kompanive, kryesisht natën, për të shmangur vëmendjen e autoriteteve. Në disa raste, Policia ka tentuar të ndërhyjë, por personeli i kompanive nuk ka lejuar hyrjen në ambientet e brendshme. Nga inspektimet e kryera së fundmi, është konstatuar se kompanitë nuk kishin asnjë pajisje për filtrimin e gazrave, në kundërshtim me çdo standard të sigurisë mjedisore.
Operacioni “Metalurgjiku”, i zhvilluar nga Policia në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, çoi në arrestimin e 16 shtetasve, përfshirë 9 të huaj me role teknike dhe drejtuese. Mes tyre janë dhe administratorët: J. C., 64 vjeç, shtetas korean, dhe E. F., 48 vjeç, banues në Elbasan.
Në pranga ranë gjithashtu drejtues teknik, inxhinierë, punëtorë dhe operatorë furre, nga India dhe Nepali, si dhe zyrtarë lokalë si I. D., 60 vjeç, shefi i Sektorit të Mjedisit në Bashkinë Elbasan, i cili do të përballet me akuzat për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim 8 aksionerë të kompanive, të cilët akuzohen për një sërë veprash penale të rënda: “Ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës”, “Fshehja e të ardhurave”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Lini një Përgjigje