
Zbardhen detaje nga sherri i dhunshëm i ndodhur paraditen e sotme në një servis makinash në Korçë, ku katër persona mbetën të plagosur pas një konflikti që degjeneroi në përdorim të mjeteve të mprehta.
Sipas informacioneve, mes të lënduarve është edhe pronari i servisit, Renaldo Xhixho, i cili është plagosur me gërshërë dhe ndodhet në spital nën kujdes mjekësor.
Tre personat e tjerë, Ergys Themelko, Erion Demolli dhe Lidi Meno, kanë pësuar gjithashtu dëmtime të ndryshme. Burime spitalore bëjnë me dije se njëri prej tyre ka marrë plagë në shpatull dhe krah, një tjetër në fytyrë, ndërsa i treti ka pësuar lëndime më të lehta.
Paraprakisht dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të një shërbimi në servis. Tre klientët kishin dërguar një automjet për ndryshim ngjyre, por pasi janë rikthyer, kanë shprehur pakënaqësi për rezultatin. Situata është përshkallëzuar më tej edhe për shkak të mospagesës së shërbimit, duke çuar në përplasje fizike mes palëve.
Gjatë konfliktit është përdorur një mjet i mprehtë, konkretisht gërshërë, duke degraduar në katër të plagosur.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive.
"Mëngjesin e sotëm, në lagjen nr. 10, Korçë, ka ndodhur një konflikt fizik midis disa shtetasve. Si pasojë e konfliktit, janë dëmtuar 3 prej tyre (njëri prej të cilëve me mjet prerës gërshërë) të cilët u dërguan për mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në ambientet e Komisariatit ndodhet i shoqëruar një shtetas, për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes", njoftoi sot policia.
Lini një Përgjigje