Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në Sarandë, ku një shtetas grek ka mbërritur pa shenja jete në urgjencën e spitalit.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 22:00 është transportuar në spital 48-vjeçari Pavllos Simeriontaqis, banues në Athinë, i cili fatkeqësisht ka mbërritur pa shenja jete.
Menjëherë pas njoftimit, në ambientet e spitalit kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat kanë nisur veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Burime pranë policisë bëjnë me dije se nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa dyshimet e para lidhen me një arrest kardiak si shkak i mundshëm i humbjes së jetës.
Shtetasi grek, 48-vjeçari Pavllos Simeriontaqis nga Athina ndodhej në vendin tonë së bashku edhe me persona të tjerë, të cilit i përkasin komunitetit rom dhe merren me tregtinë e sendeve të kuzhinës.
Ditët e fundit kishin qenë në Fier për tregti.
Ditën e djeshme kishin qenë në Konispol dhe prej andej do largoheshin nga Qafë Bota drejt shtetit grek. Ende pa u larguar, 48-vjeçari nuk është ndjerë mirë aq sa kish humbur jetën.
Kjo është dëshmia e shokëve të tij për policinë.
Sipas bluzave të bardha të Sarandës, por edhe sipas pohimit të vetë shokëve të 48-vjeçarit, ai prej vitesh vuante nga diabeti.
Për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes, trupi i pajetë do të transportohet drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.
Lini një Përgjigje