
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga aksidenti tragjik në Itali ku humbi jetën një 24-vjeçar shqiptar dhe u plagosen dy të rinj të tjerë.
Mediat italiane raportojnë se i riu shqiptar që humbi jetën në aksidentin rrugor, është identifikuar si Qerim Gjepali.
I riu, i cili ka lindur në Durrës, jetonte prej disa vitesh në Massa Lombarda. Ai po udhëtonte si pasagjer në një Mercedes CLK ditën e aksidentit, teksa makina u përplas me një pemë duke bërë që Qerimi të humbte jetën tragjikisht në vendin e ngjarjes.
Të plagosur mbetën shoferi, një 23-vjeçar po ashtu me origjinë shqiptare dhe një 19-vjeçar rumun që udhëtonte në sediljen e pasme.
Shoferi u dërgua në spital me helikopter, ndërsa rumuni pësoi dëmtime më të lehta. Dinamika e aksidentit mbetet ende për t’u përcaktuar nga ana e policisë në Imola.
Megjithatë ajo që është e qartë është se përplasja me pemën ka qenë aq e fortë saqë për Qerimin nuk pati asnjë shpresë.
Për momentin të gjitha pistat janë të hapura. Që nga mosfunksionimi i mjetit, tek një sëmundje e papritur e drejtuesit e deri tek një manovër për të shmangur ndonjë pengesë në rrugë.
Policia pritet që të përcaktojë shpejtësinë me të cilën udhëtonte mjeti në momentin e aksidentit.
“Deri më tani duket se nuk është përshirë asnjë makinë tjetër. Po punojmë për të rindërtuar dinamikën e saktë të aksidentit. Do të kuptojmë më shumë pas rezultatit të testeve toksikologjike dhe të alkoolit, të cilave iu nënshtrua shoferi”, thotë policia e Imolas.
Lajmi tragjik i aksidentit u shpërnda menjëherë në fshatin ku jetonte 24-vjeçari Gjepali. Të tjera media raportojnë se deri më tani nuk është vendosur se kur do të zhvillohet ceremonia mortore. Gjepali prej 2016 kishte shkuar në Massa Lombarda. Po ashtu, edhe familja e tij jetonte në bashkinë e Ravenës.
Lini një Përgjigje