
Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Qafë Thanë në afërsi të fshatit Urakë, ku një shtetas i huaj ka humbur jetën.
Bëhet me dije se një makinë është përplasur me me një trajler, ndërsa identiteti dhe mosha e viktimës nuk bëhet e ditur.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 17:30, në aksin rrugor “Qafë Thanë-Prrenjas”, kamioni që drejtohej nga shtetasi serb S. M., 50 vjeç, është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasja gjermane U. S., 56 vjeçe.
Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje, shtetasja U. S. Gjithashtu, është dëmtuar dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve, shtetasi P. K., 50 vjeç, (pasagjer në automjetin me drejtuese shtetasen U. S.)
Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, për veprime të mëtejshme procedurale, drejtuesin e kamionit, shtetasin S. M. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon veprimet në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Sakaq, në Qafë Thanë ditën e sotme janë shënuar disa aksidente. Pas këtyre ngjarjeve, zjarrëfikësja pastroi rrugën pasi dyshohej se është hedhur vaj nga karrotrecët në mënyrë që automjetet të rëshkasin.
Por pavarësisht këtyre tentativave, duket se ky aks është bërë sërish burim aksidenti, e këtë herë me pasoja të rënda për jetën.
Lini një Përgjigje