
Interpol i Emirateve të Bashkuara Arabe në Abu Dhabi ka konfirmuar arrestimin e Durim Bamit.
I akuzuar nga SPAK për dosjen e bujshme të grupeve kriminale që paguanin për eliminimin e rivalëve, i cilësuar si kreu i “Bandës së Niklës”, një prej fraksioneve të grupit, Bami fshihej në Emiratet e Bashkuara Arabe prej kohësh.
Ai ishte kapur më parë dhe lënë nën proces, teksa pak ditë më parë u riarrestua me qëllim ekstradimin. Interpol Tirana ka nisur procedurat, teksa Abu Dhabi e ka konfirmuar arrestimin e Bamit për këtë qëllim.
Bami akuzohet se kishte paguar për eliminimin e ish-deputetit Arben Ndoka, teksa edhe ky i fundit ofronte 1 mln euro për eliminimin e të parit për motive hakmarrjeje.
GJKKO në 15 maj të këtij viti ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Sigurimi kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kultivim i lëndëve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Durim Bami u shpall në kërkim në kuadër të dosjes Revansh të hetuar nga SPAK.
Bami akuzohet për planifikimin e vrasjes së Arben Ndokës, Tori Xhecukës, dhe Erigers Mihasit. Pjesë e kësaj dosjeje është edhe bashkëpunimi i dyshuar mes Durim Bamit me ish-efektivin e RENA-s Altin Moria për kultivimin e kanabisit në Nikël.
SPAK në kuadër kësaj dosje kërkoi arrestimin e 50 personave, mes të cilëve ishin dhe Durim Bami, ish-deputeti i PS Arben Ndoka, Ervis Martinaj, Endrit Dokle si dhe personazheve të tjerë të botës së krimit.
Nga 50 personat të përfshirë në këtë dosje, 16 prej tyre kishin thurur plane për vrasjen e vëllezërve Durim dhe Valter Bami.
Lini një Përgjigje