TAGS-AT E JAVËS

Kronike24 Shkurt 2026, 15:41

Aksioni i SPAK te “Myslym Shyri”, Apeli liron 4 persona; policia dështon me kapjen e “bosëve” të call center-it

Shkruar nga Pamfleti
Aksioni i SPAK te “Myslym Shyri”, Apeli liron 4 persona; policia
Foto nga operacioni

Gjykata lë në “arrest shtëpie” 4 prej të arrestuarve...

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka ndryshuar masën e sigurisë për katër nga personat e arrestuar në kuadër të operacionit të SPAK kundër një grupi të dyshuar për mashtrime përmes Call Center-ave.

Me vendim të datës 24 shkurt 2026, trupi gjykues monokratik i kryesuar nga gjyqtarja Iliriana Olldashi shqyrtoi ankimet ndaj vendimit të 19 janarit 2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që kishte caktuar masën “arrest në burg” për disa të hetuar.

Apeli vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dy prej të hetuarve, me inicialet K.K dhe H.Xh., ndërsa për katër të tjerë ndryshoi masën e sigurisë.

Për Elis Merkaj, Endri Gjata, Remir Gjoligaj dhe David Qerimi, gjykata vendosi zëvendësimin e “arrestit në burg” me masën “arrest në shtëpi”, duke i urdhëruar të mos largohen nga banesat e tyre. Gjithashtu, u urdhërua lirimi i tyre nga paraburgimi, nëse nuk mbahen për ndonjë shkak tjetër ligjor.

Apeli la në fuqi edhe vlerësimin si të ligjshëm të arrestimit të tyre në flagrancë, të kryer më 17 janar 2026, në orët e para të mëngjesit.

Operacioni i SPAK lidhet me një grup të dyshuar që, sipas Prokurorisë së Posaçme, mashtronte qytetarë europianë përmes investimeve fiktive në kriptomonedha.

Sipas SPAK, hetimet nisën pas materialeve të dorëzuara nga emisioni investigativ italian “Le Iene”, i cili kishte infiltruar një gazetar si punonjës në një qendër thirrjesh në Tiranë. Nga pamjet filmike u identifikua një Call Center i vendosur në dy kate të kullës “Atti Toëer”, përballë Katedrales Ortodokse.

Në video, sipas organit të akuzës, shfaqet një strukturë e organizuar me role të ndara dhe staf që operonte në disa gjuhë të huaja, përfshirë italisht, frëngjisht, spanjisht dhe gjermanisht.

SPAK pretendon se organizatorët kishin ngritur një sistem vëzhgimi me kamera dhe personel civil për të monitoruar lëvizjet përreth ambienteve të Call Center-it. Sipas prokurorisë, pas dyshimeve për ndërhyrje nga autoritetet, në orët e para të 16 janarit 2026 janë larguar pajisjet dhe është boshatisur ambienti në “Atti Toëer”.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pasi konstatuan boshatisjen e zyrave, identifikuan mjetet që transportuan pajisjet drejt një ambienti tjetër në kullën “Doëntoën One”. Në katin e pestë të kësaj godine u gjet një tjetër ambient i përshtatur si Call Center, ende në ndërtim.

Gjatë kontrollit u sekuestruan pajisje kompjuterike, telefona, serverë, karta SIM, dokumente dhe materiale të tjera, ndërsa disa persona u kapën në flagrancë gjatë transportimit të pajisjeve.

Në kuadër të operacionit u arrestuan Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi, ndërsa dy persona të tjerë u ndaluan si të dyshuar për përfshirje në mashtrim kompjuterik.

Një ditë më pas, u shpallën në kërkim tre vëllezër, Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, të cilët SPAK i konsideron si organizatorë të dyshuar të aktivitetit. Ata vijojnë të jenë në kërkim dhe policia ka dështuar me gjetjen e tyre.

Sipas SPAK, janë ushtruar kontrolle në 28 ambiente, përfshirë banesa, zyra dhe garazhe. Janë sekuestruar qindra pajisje elektronike, sisteme monitorimi, dokumente të subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjera në verifikim, si dhe disa automjete, mes tyre edhe një automjet luksoz i markës “Ferrari”, që dyshohet se lidhet me organizatorët.

Prokuroria e Posaçme bën me dije se vijon inventarizimi dhe analiza e pajisjeve të sekuestruara, si dhe identifikimi i viktimave të dyshuara në bashkëpunim me autoritetet e huaja.

Hetimet paraprake janë në vijim, ndërsa personat e përfshirë konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

call center spak apeli

Lini një Përgjigje