Sipas njoftimit zyrtar, efektivët tentuan të ndalonin të dyshuarin, por ai hodhi çantën me drogë dhe arriti të largohet drejt zonës malore në drejtim të Shqipërisë.
Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion në kufirin me Shqipërinë, ku është përballur me një trafikant, i cili i ka drejtuar armën ndaj oficerëve.
Në njoftimin zyrtar, policia e Kosovës bën me dije se mbrëmjen e djeshme kanë tentuar ta ndalojnë të dyshuarin, por ai ka hedhur çantën me drogë dhe është larguar në zonën malore në drejtim të Shqipërisë.
Në çantë është gjetur një sasi prej 21 kilogram drogë e llojit marijuane. Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e shqiptarit, ndërsa akuzohet për tentativë të trafikimit të lëndëve narkotike dhe sulm ndaj policisë.

“Më datë 20 gusht 2025, rreth orës 20:30, njësitë hetimore të Policisë së Kosovës nga Departamenti i Kufirit kanë zbuluar një rast të dyshuar të trafikut të drogës në zonën përgjatë vijës së gjelbër midis Kosovës dhe Shqipërisë.
Gjatë një operacioni hetimor në terren, zyrtarët policorë hasën një person të armatosur, i cili ishte duke mbajtur një çantë me vete. Sapo ka vërejtur praninë e policisë, i dyshuari ka drejtuar armën në drejtim të tyre, duke paraqitur një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e zyrtarëve. Pavarësisht se policët janë identifikuar dhe kanë urdhëruar ndalimin e tij, ai ka braktisur çantën dhe është arratisur drejt zonës malore në anën e Shqipërisë.
Pas kontrollit të çantës së lënë në vendngjarje, u konstatua se brenda saj ndodhej një sasi e konsiderueshme e lëndës narkotike. Sipas matjeve të bëra nga Njësia e Antidrogës, u konfirmua se bëhej fjalë për rreth 21 kilogramë marihuanë.
Policia ka nisur hetime të mëtejshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit, ndërsa rasti është cilësuar si tentativë për trafikim të lëndëve narkotike dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë”, njoftoi policia e Kosovës.
Lini një Përgjigje