
Pas aksidentit me dy viktima në Sarandë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra Shefin e Seksionit të Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë së këtij qyteti, nënkomisar Adriatik Shehun.
Gjithashtu ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm, me specialistë për të analizuar rastin, për të nxjerrë përgjegjësitë në lidhje me shkakun e ndodhjes së këtij aksidenti, si dhe për menaxhimin në tërësi të qarkullimit rrugor në territorin e bashkisë Sarandë.
"Pezullimi i tij u bë në zbatim të nenit 209, të Rregullores së Policisë së Shtetit, për shkelje të rëndë të atributeve/kompetencave të Policisë, në lidhje me pasojat e aksidentit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor “Sarandë –Ksamil”, ku humbën jetën 2 turistë italianë, konkretisht shtetasit D. D., 24 vjeç dhe V. T., 32 vjeç.
Gjithashtu, ka nisur menjëherë hetimi administrativo-disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, për mospërmbushje të procedurave standarde të punës, në lidhje me marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë sezonit turistik."-thuhet në njoftimin e policisë.
Lini një Përgjigje