TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Gusht 2024, 07:22

Aksident tragjik në Lushnjë/ 'BMW-ja' del nga rruga dhe bëhet copash, shoferi gjendet i vdekur në timon

Shkruar nga Pamfleti

Aksident tragjik në Lushnjë/ 'BMW-ja' del nga rruga dhe

Një aksident tragjik ka ndodhur duke gdhirë dita e sotme në aksin Lushnjë-Fier, me pasojë një të vdekur.


Shoferi i mjetit mbetet ende i paidentifikuar, teksa trupi i tij u gjet brenda, kurse makina pasi kishte dalë nga rruga kryesore, në Krutje, vendi i quajtur “Sheshpushimi i shoferit”, ishte përplasur edhe me një grumbull hekurash aty pranë.

Trupi i viktimës, për të cilin po punohet për identifikim, u gjet pak pas mesnatës mbi timon, teksa është dashur një orë punë nga zjarrfikësit dhe policia për ta nxjerrë dhe dërguar në morg, për procedura autopsie. Burime policore thanë se nga verifikimet e para rezulton se autovetura tip “BMW”, me targa AB507DT, rezultonte e marrë me qira nga viktima.


Sipas dinamikës fillestare të vendngjarjes, dyshohet se shoferi ka qenë me shumë shpejtësi dhe mjeti ka dalë nga rruga kryesore, duke kryer përplasje dhe rrokullisje, teksa është dëmtuar tërësisht.

Policia e Qarkullimit Rrugor ngriti një grup hetimor me ekspertë për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, kurse ajo e rendit dhe prokurori i gatshëm për hetimet nëse ka pasur faktorë të tjerë në aksident, përveç pakujdesisë. Po priten rezultatet e pamjeve të kamerave të sigurisë, verifikimi i dokumentacionit dhe rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore, për të vlerësuar nëse viktima ishte në gjendje të dehur apo ka pasur probleme shëndetësore.

Nuk ka detaje rreth të ndjerit, kurse oficerët po marrin në pyetje edhe përfaqësues të kompanisë së mjeteve me qira, për të mësuar rreth identitetit të shoferit dhe të dhënave të tjera. Policia tha se trupi ndodhet në morgun e Lushnjës, ku do bëhet identifikimi dhe priten familjarët për paraqitjen për njohje të viktimës.

aksident tragjik në lushnjë

Lini një Përgjigje