
Pengmarrësit i kanë kërkuar 35-vjeçarit një shumë prej 70 mijë eurosh.
Ushtari’ i Ervis Martinaj, Hektor Xhecuka, është përfshirë në një pengmarrje bashkë me ish-presidentin e Klubit të Kamëz, Naim Qarri dhe 5 persona të tjerë.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, Policia e Tiranës thotë se kishin marrë peng një 35-vjeçar dhe e kanë kanosur atë për t’i marrë pasurinë.
Sektori i hetimit të krimeve te rënda në Policinë e Tiranës, prej të paktën 3 muajsh kishte nisur hetimet në lidhje me pengmarrjen e 35 vjeçarit. I riu është marrë peng për të paktën 1 orë ku është dhunuar nga autorët.
Burimet bëjnë me dije se këta të fundit i kanë kërkuar 35-vjeçarit një shumë prej 70 mijë eurosh. I dhunuari pasi është lënë i lirë nga autorët ka bërë kallëzim pranë policisë. Sektori i hetimit të krimeve të rënda kreu veprime proaktive ku arriti në identifikimin e 7 personave të përfshirë në ngjarjen e rëndë.
Deri më tani janë ekzekutuar 5 prej masave të sigurisë, konkretisht: “arrest në burg”, për Aleksandër Osmani, Artan Pirraci, si dhe “arrest në shtëpi”, për Naim Qarri, Sajmir Kolaveri, dhe Adem Metkola.
Ndërkohë po punohet për arrestimin e Tori Xhecuka, alias Hektor Xhecuka, dhe Fredi Keta.
Xhecuka rezulton në kërkim edhe për llogari të SPAK si i përfshirë në dosjen “Revanshi”. Burime bëjnë me dije se Xhecuka dyshohet se është arratisur drejt Dubait.
Ai akuzohet nga SPAK për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, në 4 nëntor të vitit 2020, vrasje e mbetur në tentativë ndaj Hamza Tërziu, sigurim i kushteve për të kryer vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Lini një Përgjigje