
Një operacion i gjerë i Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britaninë e Madhe (NCA) ka çuar në dënimin e disa anëtarëve të dy grupeve kriminale që organizonin kontrabandën e sasive të mëdha të kokainës përmes Aeroportit të Mançesterit. Mes të dënuarve janë edhe dy shqiptarë, Elton Hallaçi, 32 vjeç, dhe Artur Iseberi, 27 vjeç.
Sipas hetimeve, Hallaçi dhe Iseberi ishin pjesë e një rrjeti që merrte kokainën nga korrierë amerikanë në aeroport dhe më pas e shpërndante në qytete të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar. Në skemë ishin të përfshirë edhe britanikët Dale Hosker dhe Dale Creen.
Hetuesit zbuluan se korrierët amerikanë udhëtonin drejt Mançesterit pa bagazhe dhe prisnin mbërritjen e valixheve që vinin nga Kankuni i Meksikës, të mbushura me qindra kilogramë kokainë. Më 11 maj 2024, tetë valixhe me drogë mbërritën në aeroport dhe u morën nga korrierët, të cilët më pas ia dorëzuan shqiptarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Një gabim i njërit prej korrierëve bëri që autoritetet të zbulonin 20 kilogramë kokainë në një valixhe të braktisur. Hetimet treguan se vetëm atë ditë grupi shqiptar kishte marrë rreth 100 kilogramë kokainë, ndërsa grupi tjetër 40 kilogramë.
Vetëm disa javë më vonë, autoritetet zbuluan një tjetër tentativë kontrabande me 300 kilogramë kokainë me vlerë rreth 24 milionë paund. Pjesa më e madhe e drogës u sekuestrua, ndërsa hetimet çuan në arrestimin e Hallaçit, Iseberit dhe pjesëtarëve të tjerë të rrjetit në qershor 2025.
Gjatë kontrolleve në banesën e Hallaçit, oficerët zbuluan automjete me ndarje sekrete për transport droge, si dhe fletore me shënime të detajuara në gjuhën shqipe për shpërndarjen e kokainës në qytete të ndryshme britanike. Në dokumente përmendeshin sasi që do të dërgoheshin në Londër, Bradford dhe Birmingham.
Të katërt u kapën edhe në kamerat e sigurisë në Aeroportin e Mançesterit. Kur u arrestuan, Iseberi tentoi të arratisej nga çatia e shtëpisë së tij, ndërsa në dhomën e Creen u gjetën thikë dhe hanxhar.
Në përfundim të procesit gjyqësor në Gjykatën e Kurorës në Bolton, Elton Hallaçi u dënua me 21 vite e 7 muaj burg, Artur Iseberi me 18 vite burg dhe Dale Creen me 11 vite burg. Ndërsa Dale Hosker do të dalë para gjykatës në fillim të muajit qershor.
Hallaçi, Iseberi dhe Hosker pranuan fajësinë për kontrabandë dhe posedim me qëllim shpërndarje, ndërsa Creen u dënua për posedim me qëllim shpërndarje, por u shpall i pafajshëm për kontrabandë.
Lini një Përgjigje