Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të përfundojë konfliktin aktual, por e kushtëzoi këtë me sigurimin e garancive konkrete për të shmangur përsëritjen e sulmeve.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Pezeshkian i bëri këto komente gjatë një bisede telefonike me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa. Ai theksoi se Irani ka vullnetin për të ndalur përshkallëzimin, nëse plotësohen kushtet e nevojshme.
“Ne kemi vullnetin e nevojshëm për t’i dhënë fund konfliktit, me kusht që të përmbushen kushtet e domosdoshme, veçanërisht garancitë për të parandaluar përsëritjen e sulmit,” citohet të ketë thënë Pezeshkian.
Deklarata vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa përpjekjet diplomatike për uljen e konfliktit vijojnë në nivele ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje